Gucati: Bashkëshortja e Jakup Krasniqit është në gjendje shumë të rëndë

Hysni Gucati nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka folur për gjendjen shëndetësore të Sevdije Krasniqit, bashkëshortes së ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, duke bërë të ditur se ajo ndodhet në gjendje shumë të rëndë.

Gucati ka thënë se bashkëshortja e Krasniqit vuan nga një sëmundje e rëndë dhe se së fundmi ka qenë duke marrë trajtim në një spital në Turqi.

“Është në gjendje shumë të keqe. Vuan prej një sëmundjeje shumë të rëndë. Ka qenë në një spital në Turqi. Tash me siguri paska ardhë te shtëpia”, ka deklaruar Gucati.

Ai ka treguar se vizita e Jakup Krasniqit në Prishtinë është bërë me lejen e Gjykatës Speciale në Hagë, në kuadër të një vizite humanitare, për të qëndruar pranë bashkëshortes së tij.

“Baci Jakup ka ardhë në vizitë humanitare, që ia ka leju gjykata, që ta vizitojë bashkëshorten e tij, të cilën e ka në gjendje shumë të keqe shëndetësore”, ka thënë Gucati.

Ai ka bërë të ditur gjithashtu se ka parë edhe praninë e autoambulancës në oborrin e shtëpisë së familjes Krasniqi në Prishtinë.

Ndërkohë, Gjykata Speciale në Hagë ka konfirmuar se Jakup Krasniqit i është lejuar një vizitë humanitare në shtëpinë e tij në Prishtinë.

Kujtojmë se më 16 shtator 2026, Jakup Krasniqi u dënua në shkallë të parë me 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë. /lajmi.net