Xhavit Haliti thirret nga prokuroria në Bruksel, më 19 nëntor do të dëshmojë në një proces gjyqësor në Belgjikë

Xhavit Haliti është thirrur zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme në Bruksel për të dëshmuar në një proces gjyqësor që pritet të mbahet në Belgjikë më 19 nëntor 2026.

Sipas dokumentit zyrtar të përmbaruesit gjyqësor, Haliti duhet të paraqitet në orën 12:00, ndërsa prania e tij kërkohet nga ora 11:30, para Gjykatës së Krimeve të Rënda me Juri në Nivelles, në provincën Brabant Wallon.

Thirrja është bërë në kuadër të procesit gjyqësor ndaj Andrija Draskovic, i lindur më 3 nëntor 1964 në Mitrovicë, i cili përballet me akuza për vepra të rënda penale.

Në dokumentacionin e publikuar thuhet se Haliti është ftuar të japë dëshmi lidhur me faktet që përfshihen në aktakuzën ndaj Draskovic.

Ftesa është lëshuar nga Prokuroria e Përgjithshme pranë Gjykatës së Apelit në Bruksel dhe i është dorëzuar Halitit përmes përmbaruesit gjyqësor Philippe Grumbers.

Sipas dokumentit, paraqitja e tij është e detyrueshme, ndërsa mosrespektimi i thirrjes mund të sjellë pasoja ligjore, në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale.

Seanca pritet të mbahet në Pallatin e Drejtësisë II, në adresën Rue Clarisse 115, në Nivelles të Belgjikës. /lajminet