Kurti flet për avancimin e të drejtave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se mbi 80 për qind e aktiviteteve të parapara në Planin e Veprimit për avancimin e të drejtave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për periudhën 2022–2026 janë përmbushur plotësisht.

Këtë e ka bërë të ditur gjatë Samitit Rajonal për Luftimin e Diskriminimit Racor ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ku ka theksuar se përfshirja e këtyre komuniteteve është çështje e të drejtave të qytetarëve dhe përgjegjësi e shtetit, e jo çështje e privilegjeve apo favorizimeve.

Kurti ka thënë se gjatë qeverisjes së tij janë ndërmarrë veprime konkrete për luftimin e diskriminimit dhe krijimin e mundësive të barabarta në arsim, punësim dhe institucione.

Duke folur për mbështetjen në arsim, ai ka bërë të ditur se për vitin akademik 2025–2026 janë ndarë 494 bursa për nxënësit e këtyre komuniteteve, në vlerë të përgjithshme prej 190 mijë e 800 eurosh. Ndërsa për vitin shkollor 2026–2027 janë ndarë 554 bursa.

Sipas Kurtit, vlera e bursës për nxënës është rritur nga 300 në 400 euro për vit mësimor.

Ai ka theksuar se është rritur edhe mbështetja financiare për qendrat mësimore, duke bërë të ditur se buxheti për 10 organizata joqeveritare që menaxhojnë gjithsej 54 qendra është rritur nga 250 mijë në 370 mijë euro.

Përmes kësaj mbështetjeje, gjatë vitit shkollor 2026–2027, mbi 2 mijë e 600 fëmijë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian pritet të përfitojnë ndihmë në mësimnxënie, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.

Kurti ka bërë të ditur gjithashtu se janë hartuar draft-materialet mësimore për historinë, kulturën dhe traditat e këtyre komuniteteve, ndërsa është planifikuar edhe rishikimi i programeve mësimore të gjuhës rome dhe përgatitja e teksteve të reja.

Ai ka vlerësuar se arsimi është një nga instrumentet më të fuqishme për luftimin e pabarazisë, duke theksuar se asnjë fëmijë nuk duhet ta ketë të ardhmen e kufizuar për shkak të rrethanave në të cilat ka lindur ose jeton.

Në fjalimin e tij, kryeministri ka theksuar edhe rëndësinë e kushteve të jetesës dhe banimit, të cilat i ka cilësuar si të drejta themelore dhe parakushte për mirëqenie, siguri dhe integrim.