Dani Alves rrëfen jetën e re në moshën 43-vjeçare: Për 40 vjet kam qenë i burgosur

Dani Alves ka folur për transformimin e tij personal dhe shpirtëror, duke pretenduar se pas një jete të gjatë të lidhur me gabimet dhe mëkatin, ka gjetur lirinë e vërtetë përmes besimit në Jezusin.

Ish-futbollisti brazilian, tashmë 43-vjeçar, ka ndarë një mesazh të gjatë në rrjetet sociale, ku ka reflektuar për të kaluarën e tij.

“Kam jetuar 40 vjet i burgosur, por ishte në burgun e vërtetë që u çlirova”, shkroi Alves, duke iu referuar periudhës së kaluar në burg.

Sipas tij, gjatë asaj kohe zbuloi një liri që nuk e kishte përjetuar më parë, pavarësisht se jashtë kishte pasur famë, para dhe sukses.

“Jetova 40 vjet i lidhur me mëkatin, gabimet, vendimet e mia dhe një jetë që nga jashtë dukej e lirë, por brenda kisha zinxhirë. Në burg njoha Jezusin”, shtoi ai, duke theksuar se besimi i tij i ri ia ndryshoi mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit.

Alvesi e përfundoi mesazhin me një deklaratë të fortë: “Nuk jam i lirë sepse dola nga burgu, por sepse Jezusi më çliroi nga mëkati”.

Kjo është filozofia që, sipas tij, po e udhëheq në jetën e re larg futbollit. /Zëri