Kurti: Duam të rrisim prodhimin në vendin tonë dhe të eksportojmë sa më shumë jashtë tij

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar përfaqësues të komunitetit të biznesit, ekspertë dhe ndërmarrës nga Kosova dhe Polonia, në prag të Forumit të Tretë Ekonomik Kosovë-Poloni, i cili do të mbahet në Prishtinë.

Gjatë këtij takimi, Kurti ka theksuar rëndësinë e rritjes së prodhimit vendor, shtimit të eksporteve dhe krijimit të partneriteteve të reja përmes investimeve në Kosovë.

Ai ka deklaruar se synimi i vendit nuk duhet të jetë vetëm të shërbejë si treg për produktet e huaja, por edhe të zhvillojë kapacitetet prodhuese dhe të ofrojë produkte e shërbime për tregjet ndërkombëtare.

“Nuk duam të jemi vetëm treg për të tjerët, por të ofrojmë produkte, shërbime dhe të bëhemi partnerë nëpërmjet investimeve në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, Forumi i Tretë Ekonomik Kosovë-Poloni do të përqendrohet në tri fusha kryesore: ekonominë dhe qeverisjen digjitale, mbrojtjen dhe sigurinë kibernetike, si dhe zhvillimin e prodhimit, infrastrukturës dhe energjisë.

Kryeministri ka vlerësuar se ky forum paraqet mundësi për shkëmbimin e përvojave, krijimin e lidhjeve të reja ekonomike dhe identifikimin e mundësive për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve.

Ai ka përmendur gjithashtu rëndësinë e partneritetit me Poloninë, si shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, duke theksuar se Kosova synon anëtarësimin në këto organizata.

Forumi Ekonomik Kosovë-Poloni do të zhvillohet në Prishtinë gjatë dy ditëve të ardhshme, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë dhe të sektorit privat nga të dyja vendet.