Kosova me fanella të bardha në Dublin, publikohen pamje nga zhveshtorja para duelit vendimtar

Kombëtarja e Kosovës do të zbresë sonte në fushë me fanella të bardha në përballjen vendimtare ndaj Republikës së Irlandës, e cila zhvillohet në Dublin në kuadër të Ligës së Kombeve.

Në anën tjetër, përfaqësuesja irlandeze do të paraqitet me fanellat e saj tradicionale, me ngjyrë të gjelbër. Këto detaje janë bërë të ditura përmes pamjeve të publikuara nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

FFK ka shpërndarë një video nga zhveshtorja e Dardanëve, ku shihen fanellat e bardha të përgatitura për ndeshjen e sontme. Pamjet janë publikuar pak para fillimit të një prej sfidave më të rëndësishme të Kosovës në këtë edicion të Ligës së Kombeve.

Ekipi i drejtuar nga Franco Foda udhëton drejt kësaj ndeshjeje me një objektiv të qartë: të sigurojë vendin e dytë në Grupin B3. Kosovës i mjafton një barazim për ta arritur këtë synim dhe për të siguruar pjesëmarrjen në plejofin për promovim në Ligën A.

Ndërkohë, Irlanda është e detyruar të fitojë për ta kaluar Kosovën në renditje. Në përballjen e parë, të zhvilluar më 24 shtator në Prishtinë, Dardanët triumfuan 1-0 falë golit të Vedat Muriqit në minutën e 83-të.

Tashmë, gjithçka vendoset në Dublin, ku Kosova synon ta përsërisë suksesin e ndeshjes së parë dhe ta mbyllë këtë fazë të Ligës së Kombeve me një tjetër rezultat pozitiv.