Brukseli në protestë, mijëra studentë kundërshtojnë rritjen e tarifave universitare
Mijëra studentë protestuan sot në Bruksel, në Ditën Ndërkombëtare të Studentëve, kundër rritjes së tarifave universitare, shkurtimeve në financimin e arsimit dhe kostos së lartë të jetesës, raporton “Reuters”.
Protestuesit kundërshtojnë rritjen e tarifave të studimit nga 835 në 1 194 euro, një shtim prej rreth 43%. Ata kërkojnë më shumë financim për universitetet dhe mbështetje më të madhe për studentët, përballë rritjes së shpenzimeve për strehim, transport dhe ushqim.
Marshimi u organizua nga Federata e Studentëve Frankofonë (FEF), me mbështetjen e sindikatave, dhe nisi pranë stacionit qendror të trenit në Bruksel, për të përfunduar pranë selisë së qeverisë së Komunitetit Frankofon të Belgjikës.
Në protestë morën pjesë edhe studentë nga komuniteti flamand, të cilët iu bashkuan thirrjeve për përmirësimin e kushteve dhe financimit të arsimit të lartë. /abcnews