Respektimi i së drejtës së autorit si standard profesional

Citimi i burimit të lajmit nuk e zvogëlon vlerën e një mediumi dhe as nuk ia heq rëndësinë raportimit. Përkundrazi, e dëshmon korrektësinë profesionale dhe transparencën ndaj lexuesit, si dhe respektimin e kodeve të etikës.

Shkruan: Albert Limani

Respektimi i të drejtave të autorit, si në shumë fushë të tjera, vazhdon të mbetet një sfidë edhe në mediat e shkruara/online, pavarësisht se kjo çështje specifikohet qartë në Kapitullin XI të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili përcakton parimet etike që mbrojnë integritetin profesional të gazetarisë. Përveç që vetërregullohet me këtë kod, në Kosovë të drejtat e autorit në media rregullohen edhe me Ligjin për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.

Kapitulli XI i Kodit të Mediave të Shkruara qartëson se gazetarët dhe mediat e shkruara duhet ta respektojnë të drejtën e autorit në çdo fushë për të cilën ata raportojnë, duke përfshirë shkrimet, hulumtimet, raportimet, lajmet, fotografitë, imazhet, videot, përkthimet etj. Por, në praktikë ky rregull shpesh nuk respektohet nga mediat, të cilat publikojnë lajme pa cituar fare burimin e parë, ose edhe kur citojnë, e lënë diku mes rreshtash dhe emri i medias nga e cila është marrë lajmi është vështirë i dukshëm. Plagjiatura është e ndaluar dhe konsiderohet shkelje e kodit, por shpesh mediat, duke mos respektuar të drejtën e autorit, nuk e respektojnë punën e njëra-tjetrës.

Kodi i udhëzon mediat e shkruara ose gazetarët që, në rast se marrin citate nga shkrimi i një medie tjetër, duhet ta citojnë saktë dhe ta përshkruajnë ashtu siç është thënë në median bazë, pa e shtrembëruar atë. Po ashtu, kodi tutje përcakton edhe kur mediat mund të përdorin citate të kufizuara pa leje nga pronarët e së drejtës së autorit, për materiale të caktuara.

“Publikimet mund të përdoren arsyeshëm, me citate të kufizuara materialesh nga publikimet tjera apo nga pronarë të së drejtës së autorit, pa leje të shprehur të tyre për ta bërë një gjë të tillë, pasi të ketë kaluar së paku gjashtë orë nga botimi i materialit. Megjithatë, botimi i gjithë materialit në fjalë do të mund të realizohet vetëm pas lejes paraprake të mbajtësit të së drejtës së autorit”, thuhet në pikën tre të kapitullit për të drejtat e autorit.

Kodi rregullon edhe përdorimin e lajmeve nga bota, kur ato përkthehen, duke përcaktuar se përkthimi dhe përshtatja e materialeve nga mediat botërore dhe më pas publikimi i tyre në median e shkruar po ashtu do të konsiderohet e drejtë e autorit dhe duhet të respektohet.

Një sfidë tjetër që ka lindur kohëve të fundit është edhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale (AI) nga mediat, që po cenon shumë të drejtat e autorit. Udhëzuesi “Inteligjenca Artificiale dhe etika në gazetari”, i publikuar nga Këshilli i Mediave të Shkruara, u kërkon mediave që gjatë përdorimit të AI-së duhet të respektojnë të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të pronësisë intelektuale.

Fenomeni “copy-paste” në media

Për shkak të dinamikës së punës në mediat online, shpeshherë lajmet publikohen pa u verifikuar, ose pa një kontroll të thjeshtë. Në shumicën e rasteve mediat respektojnë të drejtën e autorit dhe në lajmet që huazojnë citojnë burimin, por ka raste artikujt kanë edhe lëshime dhe nuk respektojnë të drejtën e autorit.

Kur bëhet fjalë për lajmet “copy-paste”, mund të përmendet rasti i në lajmi të publikuar nga një media online, i cili bashkë me një koment personal të gazetarit, pra me një lëshim teknik, ishte ripublikuar më pas në media të tjera. Kjo është një dëshmi se plot lajme ripublikohen në media të shpërndara nga burimi kryesor pa një rishikim redaktorial.

Lajmet “copy-paste” të cilat shpërndahen dhe shpesh nuk citojnë burimin, nuk kontribuojnë vetëm në mosrespektimin e së drejtës së autorit, por edhe në shpërndarjen e dezinformatave si pasojë e mosverifikimit.

Pavarësisht lëshimeve, një numër i madh mediash në Kosovë në përgjithësi respektojnë të drejtën e autorit. Media e agjenci lajmesh mbrojnë materialet e tyre në atë mënyrë që nuk mjaftohen vetëm me citim në rastin e ribotimit të një materiali të plotë, por kërkohet edhe autorizimi i bartësit të të drejtave, përveç rasteve të lejuara me ligj.

Një rast i respektimit të citimit të dyfishtë ose trefishtë të mediave është një artikull i publikuar në gazetën “Zëri” (Zeri.info), e cila në artikullin “‘Marshi për Liri’ bën jehonë në mediat botërore” ka përmendur agjencitë e lajmeve të huaja që kanë raportuar për marshin, por edhe ka cituar burimin e lajmit të përkthyer në Kosovë, Telegrafi.com.

Rast tjetër është raportimi i agjencisë së lajmeve Ekonomia Online me titull “ZKA: Mbi 60 mijë euro u dhanë si subvencione për libra pa plotësuar kriteret”. I njëjti shkrim është publikuar edhe nga “Koha” (Koha.net), duke e cituar burimin.

Një burim i informacioneve në mediat online janë kryesisht komunikatat nga institucione të ndryshme. Citimi i burimit nuk e zvogëlon vlerën e një mediumi dhe as nuk ia heq rëndësinë raportimit. Përkundrazi, e dëshmon korrektësinë profesionale dhe transparencën ndaj lexuesit.

Në një treg mediatik, siç është në Kosovë, redaksitë shpesh konkurrojnë për shpejtësi, klikime dhe audiencë. Respektimi i punës së një medium tjetër, duke respektuar të drejtën e autorit, duhet të jetë standard profesional dhe konkurrenca ndërmjet mediave nuk duhet të zhvillohet duke përvetësuar punën së gazetarëve, por nëpërmjet cilësisë së raportimit, hulumtimit dhe verifikimit të informacionit.

E drejta e autorit në mediat e huaja

Edhe në mediat e huaja e drejta e autorit rregullohet nëpërmjet një kombinimi të ligjeve për të drejtat e autorit, kodeve etike të gazetarisë, rregulloreve të brendshme editoriale dhe marrëveshjeve për licencimin ose qasjen në përmbajte. Mediat e njohura ndërkombëtare kanë politika të qarta për mënyrën sesi mund të përdoren lajmet, fotografitë, videot, hulumtimet ose materialet tjera. Një nga agjencitë më të njohura ndërkombëtare të lajmeve, Reuters, kërkon që edhe kur një lajm është raportuar fillimisht nga një medie konkurruese, ajo të përmendet si burim i parë. Edhe Associated Press (AP) ka një sistem të strukturuar të mbrojtës së materialeve të veta, ku përcakton se përmbajtja e saj mbrohet nga ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e autorit, me disa përjashtime që vlejnë për mediat e abonuara.

BBC, ndërkaq, një medie tjetër e njohur, është veçanërisht e kujdesshme me materialet e publikuara nga institucionet, kompanitë dhe organizatat, sepse ato mund të kenë interes të drejtpërdrejtë në mënyrën se si paraqitet një ngjarje. Për përdorimin e përmbajtjes së BBC-së nga mediat ose organizatat e tjera zakonisht kërkohet leje, e cila vlen për të gjitha materialet televizive dhe përmbajtjet e mbrojtura nga e drejta e autorit.

(Autori është redaktor i medias online “Zëri”. Artikulli është shkruar për KMSHK-në në kuadër të projektit të UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore: Mbështetje për gazetarinë si e mirë publike”, i financuar nga Bashkimi Evropian. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë ekskluzivisht të KMSHK-së dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e UNESCO-s dhe të Bashkimit Evropian).