Vinicius Junior shënon het-trik për Brazilin dhe tregon pse u nervozua nga zëvendësimi

Vinicius Junior ishte protagonisti kryesor në fitoren e thellë 7-0 të Brazilit ndaj Singaporit, në një ndeshje miqësore ku sulmuesi i Real Madridit realizoi tri golat e parë të takimit, duke regjistruar het-trikun e tij të parë me Përfaqësuesen A të Brazilit.

Pas përfundimit të ndeshjes së së martës, braziliani u shpreh i kënaqur me paraqitjen e ekipit dhe seriozitetin me të cilin skuadra e trajtoi këtë përballje, pavarësisht nivelit të kundërshtarit.

Ai gjithashtu foli për arritjen personale, duke theksuar se shpreson që ky të jetë vetëm het-triku i parë nga shumë të tjerë me fanellën e Brazilit.

“Është hera e parë që shënoj tri gola dhe shpresoj të jetë e para nga shumë të tjera. E nisëm ndeshjen të përqendruar, duke e ditur se kishim përballë një kundërshtar të një niveli dukshëm më të ulët”.

“Mund të kisha shënuar edhe më shumë, por jam i lumtur me fitoren. Tani kthehemi te klubet. Në mars duhet të jemi në 100 për qind të formës”, deklaroi Vinicius.

Përveç tri golave, vëmendje tërhoqi edhe reagimi i tij në fillim të pjesës së dytë, kur u zëvendësua nga Allani.

Kamerat e kapën sulmuesin duke shfaqur pakënaqësi teksa po largohej nga fusha, çka nxiti pyetje rreth reagimit të tij.

Vinicius shpjegoi se dëshira për të vazhduar lojën dhe për të shënuar më shumë gola ishte arsyeja e reagimit të tij, por theksoi se e kuptonte plotësisht vendimin e stafit teknik.

“E kisha marrëveshjen që të luaja edhe 15 ose 20 minuta të tjera, por unë gjithmonë dua të shënoj më shumë gola. E kuptova se ishte e nevojshme që edhe lojtarët e tjerë të aktivizoheshin dhe se Allan kishte nevojë për minuta. Kjo periudhë shërben për përgatitje dhe prova, ndërsa trajneri bëri pikërisht këtë, duke u dhënë të gjithëve minuta”.

“Tani duhet ta kompletojmë skuadrën, pasi po afrohen ndeshjet kualifikuese”, përfundoi ylli brazilian. /telegrafi