Flick kërkon përforcime në mbrojtje, Barcelona synon dy emra të mëdhenj
Barcelona po shqyrton mundësinë e përforcimit të repartit defensiv në afatin kalimtar të janarit 2027, me Josko Gvardiol të Manchester Cityt dhe Jonathan Tahu të Bayern Munichut si dy prej emrave në listën e dëshirave.
Sipas raportimit të AS-së, drejtori sportiv Deco ka eksploruar mundësinë e transferimit të të dy mbrojtësve, ndërsa trajneri Hansi Flick ka dhënë dritën e gjelbër për afrimin e një futbollisti në këtë repart, nëse kushtet e lejojnë.
Megjithatë, realizimi i këtyre operacioneve nuk do të jetë i lehtë, pasi Barcelona duhet fillimisht të krijojë hapësirë në kufirin e pagave për të pasur mundësi të veprojë në treg.
Gvardiol është njëri prej futbollistëve që pëlqehet më shumë nga Deco. Mbrojtësi kroat 24-vjeçar mund të luajë si në qendër të mbrojtjes, ashtu edhe në krahun e majtë, dy pozicione që katalunasit synojnë t'i përforcojnë.
Sipas AS-së, Barcelona kishte kërkuar informacione nga Manchester City për situatën e tij, në kohën kur dy klubet po zhvillonin bisedime edhe për çështjen e Rodrit.
Megjithatë, transferimi i kroatit konsiderohet shumë i vështirë, pasi Manchester City nuk ka sinjalizuar gatishmëri për ta lënë të largohet.
Alternativa tjetër është Jonathan Tahu i Bayern Munichut. Sipas Sky Sport Germany, Barcelona ka kërkuar informacione për situatën e qendërmbrojtësit gjerman në prag të afatit kalimtar dimëror.
Tahu kishte qenë më herët në listën e dëshirave të katalunasve, pasi përfundoi kontratën me Bayer Leverkusenin në vitin 2025. Megjithatë, ai vendosi të transferohej te Bayern Munichu, me të cilin ka kontratë deri në qershor të vitit 2029.
Gjatë këtij sezoni, 30-vjeçari ka pasur minutazh të ndryshueshëm, pasi trajneri Vincent Kompany ka alternuar atë me Dayot Upamecanon dhe Kim Min-jae. Pavarësisht kësaj, Tah vazhdon të jetë pjesë e planeve të klubit bavarez.
Bayerni për momentin nuk e konsideron largimin e tij, ndërsa as vetë futbollisti nuk ka shfaqur dëshirë për t'u larguar.
Ndërkohë, Bild ka vënë në pikëpyetje nëse Barcelona ka bërë vërtet një kërkesë zyrtare për transferimin e tij, ndonëse ka pranuar se ekzistojnë kontakte me rrethin e mbrojtësit. /telegrafi