Sulmet ruse synojnë t’ua “shuajnë vullnetin” ukrainasve, thotë kryeministri ukrainas

Ukraina po bën gjithçka që mundet për t'u mbrojtur nga sulmet e Rusisë, të cilat synojnë t’ia “shuajnë vullnetin” popullit të saj, kur po afrohet dimri dhe Moska po i shpeshton bombardimet ndaj civilëve dhe infrastrukturës jetike, i tha Radios Evropa e Lirë kryeministri ukrainas, Serhiy Koretskiy.

Koretskiy foli në një intervistë më 16 nëntor, në prag të dy takimeve me mbështetësit evropianë të Kievit, të planifikuara për këtë javë. Intervista u zhvillua gjithashtu pas një vale përpjekjesh diplomatike të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, të cilat nuk sollën ndonjë përparim të dukshëm në përpjekjet për t'i dhënë fund pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, i cili në shkurt do të hyjë në vitin e pestë.

“Rusia e ka ndryshuar ndjeshëm strategjinë e saj dhe po godet urat, infrastrukturën dhe bizneset në masë të madhe”, tha Koretskiy.

“Ky është terror i pastër, që synon të shuajë vullnetin dhe rezistencën e ukrainasve, duke e bërë jetën të padurueshme dhe të pamundur në kryeqytet, Kiev, dhe në qytetet me miliona banorë”.

Duke iu referuar ndërprerjeve të mëdha të furnizimit me rrymë dhe ngrohje si pasojë e sulmeve ruse, ai tha se “fokusi kryesor është te mënyra se si mund t'i parashikojmë dhe parandalojmë pasojat më të rënda të mundshme”.

“Ende nuk është dimër... Por çdo ditë po përmirësohemi dhe po punojmë për t'i korrigjuar gabimet”, tha ai, duke folur për përgatitjet për t'u përballur me sulmet ruse.

Qeveria po punon për të gjetur mënyra për të mbuluar atë që presidenti Volodymyr Zelensky e ka cilësuar si mungesë financimi prej 70 miliardë eurosh për vitin 2027: 30 miliardë euro për të mbuluar deficitin buxhetor dhe 40 miliardë euro për “nevoja shtesë ushtarake jashtë buxhetit”, tha kryeministri.

“Ndoshta nuk do të bëj të ditur se çfarë do të arrijmë së shpejti. Por, më besoni, ka përparim”, tha Koretskiy, duke shtuar se deri në fund të nëntorit ose në fillim të dhjetorit duhet të ketë “një plan të qartë se ku dhe si do të mund t'i sigurojmë mjetet për t'i mbuluar këto nevoja”.

Ndërkohë, Ukraina po përgatitet për dy takime të rëndësishme me aleatët këtë javë: takimin e të ashtuquajturit Grupi i Ramsteinit, i cili do të pasohet nga një takim i Koalicionit të Vullnetit.

"Do të mbahet një takim i Ramsteinit, i cili duhet të sjellë rezultate", tha Zelensky më 15 nëntor, duke iu referuar takimit të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili është planifikuar të mbahet më 17 nëntor në Bruksel.

"Ky takim do të dërgojë mesazh të fortë për Rusinë, se Ukraina nuk do të mbetet pa mbështetje", shtoi Zelensky.

I njohur jozyrtarisht si Grupi i Ramsteinit, ky grup bashkërendon mbështetjen ushtarake për Ukrainën nga aleatët perëndimorë. Takimin e ardhshëm do ta udhëheqin ministrat e Mbrojtjes së Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe.

Lideri ukrainas tha se synimet kryesore të Kievit janë forcimi i mbrojtjes ajrore të vendit, përfshirë sigurimin e raketave dhe sistemeve shtesë Patriot, si dhe të sistemeve kombëtare të avancuara të raketave kundërajrore, NASAMS.

"Kërcënimi nga raketat balistike ruse mbetet shumë serioz dhe ne kemi të dhënat të inteligjencës që tregojnë se po përgatiten sulme të reja", tha Zelensky.

Ukraina po përballet me vështirësi për t’i mbrojtur qytetet nga dronët rusë me motorë reaktivë, të cilët mund të fluturojnë pothuajse dy herë më shpejt se modelet e vjetra. Për këtë arsye, Kievi ka kërkuar përshpejtimin e dërgesave të armëve më të avancuara mbrojtëse nga Perëndimi.

Takimi i Koalicionit të Vullnetit "mund të jetë historik"

Zelensky tha se Ukraina po përgatitet gjithashtu për një takim në Berlin të Koalicionit të Vullnetit, të cilin e cilësoi si "një takim të rëndësishëm që mund të jetë historik".

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministri britanik, Andy Burnham, do ta udhëheqin takimin e këtij koalicioni. Ky është një grupim joformal, i krijuar në fillim të vitit 2025 nga shtetet që janë zotuar ta ndihmojnë Kievin dhe që mund të marrin pjesë në një forcë shumëkombëshe paqeruajtëse, në rast se arrihet marrëveshje për armëpushim.

Merzi tha se në takim pritet të marrin pjesë më shumë se 20 krerë shtetesh dhe qeverish.

"Qëllimi ynë është të arrijmë dy gjëra: së pari, të sigurojmë financimin për mbrojtjen e Ukrainës për vitin 2027 dhe, së dyti, të arrijmë një qëndrim të përbashkët lidhur me bisedimet e ardhshme për paqe", tha ai.

Zelensky tha se "e kemi mundësinë të krijojmë një qëndrim vërtet të fortë dhe të unifikuar evropian për negociatat".

"Po përgatitim gjithashtu një vlerësim të punës së koalicioneve ekzistuese që mbështesin Ukrainën, cilat prej tyre po i përmbushin vërtet detyrat dhe, cilat, për të qenë të sinqertë, kanë mbetur vetëm struktura boshe. Do të punojmë për t'u dhënë përmbajtje", tha ai. /REL