Zhegrova drejt largimit nga Juventusi, në Itali zbulohet ideja për shkëmbim me yllin e Monacos

Mediat italiane raportojnë për një mundësi shkëmbimi mes Edon Zhegrovës dhe Folarin Balogunit, me të dy futbollistët që nuk janë të kënaqur me hapësirën që po marrin në klubet e tyre.

Edon Zhegrova mund të largohet nga Juventusi gjatë afatit kalimtar të janarit, ndërsa një destinacion i mundshëm për të është Monaco. Në anën tjetër, në Torino po shqyrtohet mundësia e transferimit të sulmuesit amerikan Folarin Balogun, në një marrëveshje që mund të përfshijë shkëmbimin e dy futbollistëve.

Sipas Gazzetta dello Sport, duke cituar gazetari Giovanni Albanese, Zhegrova nuk është i kënaqur me trajtimin si rezervist te Juventusi dhe po e sheh me interes mundësinë e transferimit në Monaco, klub që është në kërkim të një futbollisti në pozitën e tij.

Edon Zhegrova drejt largimit? Tri klubet e mëdha në garë për yllin e Kosovës

Në anën tjetër, edhe Balogun nuk po gjen hapësirën e dëshiruar në skuadrën franceze, ku konkurrenca me talentin në ngritje Paris Brunner ia ka vështirësuar aktivizimin. Sulmuesi amerikan e sheh me interes mundësinë për t'u transferuar te Juventusi.

Klubi italian është në kërkim të një qendërsulmuesi për janarin, pasi trajneri Luciano Spalletti kërkon një profil më fizik në repartin sulmues. Një prej objektivave mbetet Alexander Sorloth i Atletico Madridit, ndërsa bisedimet për të pritet të rifillojnë së shpejti.

Megjithatë, ideja e Balogunit ka disa pikëpyetje. Sulmuesi 25-vjeçar është më shumë një lojtar lëvizës sesa një qendërsulmues fizik i tipit Sorloth, të cilin e preferon Spalletti.

Për më tepër, Balogun ka një pagë të përballueshme prej rreth 3.5 milionë eurosh në vit, por Juventusi do ta konsideronte marrëveshjen interesante vetëm nëse Monaco do të pranonte një huazim pa obligim blerjeje.

Kjo do t'i mundësonte klubit torinez ta testonte sulmuesin në Serie A përpara se të vendoste për një investim që mund të arrinte në 45 deri në 50 milionë euro.

Kështu, janari mund të sjellë një lëvizje interesante në aksin Torino–Monte Carlo, me Zhegrovën që kërkon më shumë minuta dhe Balogunin që synon një aventurë të re në Itali. /telegrafi