Samiti BE-Ballkani Perëndimor: Kosovës dhe Serbisë pritet t'u kërkohet përparim në dialog

Udhëheqësit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) do ta shfrytëzojnë samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor për të paralajmëruar se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i pengojë të dyja palët në rrugën drejt integrimit evropian.

Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të theksojnë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, të ndërmjetësuar nga BE-ja, thuhet në draft-deklaratën të cilën e ka parë Rel-i.

Dokumenti pritet të miratohet në përfundim të samitit që pritet të mbahet më 25 nëntor në Bruksel

“Mbështetja në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor [Plani i Rritjes] kushtëzohet me angazhimin konstruktiv të partnerëve, përparimin e matshëm dhe rezultatet konkrete në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thuhet në draft-dokument.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ka vite që ka ngecur dhe udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë nuk janë takuar që nga shtatori i vitit 2023. Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, e cila e mori detyrën në dhjetor të vitit 2024, nuk ka organizuar asnjë takim të nivelit të lartë.

Fillimisht, si arsye për mungesën e takimeve përmendej gjendja e brendshme politike në të dyja vendet. Në Kosovë, kriza institucionale zgjati gati dy vjet. Ndërkaq, Serbia u përball me protesta në mbarë vendin pas shembjes së strehës së hyrjes në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona.

Pas stabilizimit të institucioneve në Kosovë dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi, të cilat i fitoi Lista e Studentëve, BE-ja do të përpiqet ta ringjallë dialogun pas formimit të qeverisë së re serbe.

Pritet të përsëritet dënimi i glorifikimit të kriminelëve të luftës

Samiti i udhëheqësve të shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor është caktuar për 25 nëntor. Deklarata miratohet nga udhëheqësit e BE-së, ndërsa pjesëmarrësit nga rajoni pajtohen me të.

Ndër të tjera, do të përsëritet se vendet e rajonit duhet t'i respektojnë vlerat dhe parimet evropiane. Udhëheqësit e BE-së do të ritheksojnë se presin që vendet e rajonit t'i dëshmojnë këto vlera edhe me vepra, veçanërisht kur bëhet fjalë për krimet e kryera gjatë luftërave të viteve ‘90.

“Çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohim i gjenocidit dhe revizionizëm janë në kundërshtim me vlerat më themelore evropiane”, pritet të thuhet në deklaratën përfundimtare. Vendet e rajonit do të ftohen të promovojnë një kulturë respekti dhe solidariteti me të gjitha viktimat, si dhe respektimin e aktgjykimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe vendore për krime lufte.

Në deklaratë pritet të thuhet gjithashtu se bashkëpunimi gjithëpërfshirës rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, mbeten thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët. E njëjta vlen edhe për zbatimin me mirëbesim të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe arritjen e rezultateve konkrete.

Sipas draft-dokumentit, nevojiten ende përpjekje shtesë dhe vendimtare për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin rajonal. Ato nevojiten edhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet rajonale dhe dypalëshe që burojnë nga trashëgimia e së kaluarës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Ndër çështjet e përmendura janë Marrëveshja për Çështjet e Pasardhësisë, rastet e pazgjidhura të personave të zhdukur dhe krimet e luftës.

Një paragraf i veçantë i deklaratës i kushtohet përafrimit të vendeve të rajonit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, përfshirë zbatimin e sanksioneve dhe parandalimin e shmangies së tyre. Udhëheqësit e BE-së do t'i përgëzojnë partnerët që janë përafruar plotësisht me këtë politikë, ndërsa të tjerët do t'i ftojnë të ndjekin shembullin e tyre.

Ky mund të jetë samiti i fundit për Malin e Zi si vend kandidat

Samiti mbahet rreth gjashtë muaj pas samitit në Tivat të Malit të Zi, vendi që konsiderohet kandidati më i mundshëm për t'u bërë anëtari i ardhshëm i BE-së.

Ky me shumë gjasë do të jetë samiti i fundit BE – Ballkani Perëndimor në të cilin Mali i Zi merr pjesë si vend kandidat.

Mali i Zi po punon bujshëm për mbylljen e të gjithë kapitujve të negociatave dhe pritet t'i përfundojë negociatat për anëtarësim deri në fund të këtij viti. Nënshkrimi i Traktatit të Anëtarësimit pritet jo më herët se në qershor të vitit të ardhshëm. Në atë moment, Mali i Zi do të marrë statusin e vendit aderues.

Në përfundim të samitit të javës së ardhshme, udhëheqësit evropianë do të konfirmojnë se situata gjithnjë e më e paqëndrueshme gjeopolitike e thekson nevojën për unitet ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Kjo situatë karakterizohet nga lufta agresore e Rusisë kundër Ukrainës, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe konkurrenca gjithnjë e më e ashpër globale.

“Ritheksojmë përkushtimin tonë të plotë dhe të palëkundur ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin tonë. Zgjerimi është një mundësi reale që duhet shfrytëzuar”, pritet të deklarojnë udhëheqësit evropianë në deklaratën përfundimtare.

Në dokument, zgjerimi përshkruhet si një investim gjeostrategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin evropian. Vendet e rajonit do të ftohen të përshpejtojnë reformat vendimtare dhe të përmbushin detyrimet e nevojshme për përparimin drejt BE-së. Në të njëjtën kohë, do të theksohet se edhe BE-ja duhet t'i avancojë përgatitjet dhe reformat e veta për një bllok të zgjeruar. /REL