Prokurorja e Speciales mirëpret dënimet ndaj Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë

Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka mirëpritur aktgjykimin dhe dënimet e shqiptuara ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit në rastin për pengim të drejtësisë në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Përmes një deklarate, West ka paralajmëruar se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të vazhdojë hetimet dhe ndjekjet penale ndaj të gjitha rasteve që lidhen me pengimin e drejtësisë.

“E mirëpres aktgjykimin dhe dënimet e sotme, të cilat japin një mesazh të qartë: ata që përpiqen të sabotojnë sundimin e ligjit, të zbulojnë materiale sekrete të gjykatës apo të ndërhyjnë te dëshmitarët, do të vihen para përgjegjësisë pavarësisht statusit apo postit të tyre”, ka deklaruar West.

Ajo ka theksuar se përpjekjet për të ndikuar te dëshmitarët dhe për të zbuluar materiale konfidenciale cenojnë integritetin e procesit gjyqësor.

“Këto përpjekje minojnë ruajtjen e integritetit të procesit gjyqësor dhe atyre u duhet dalë ballë”, ka thënë ajo.

Sipas njoftimit të ZPS-së, Gjykata i shpalli fajtorë Thaçin, Smakajn dhe Fazliun për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë tentativën për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindjen ndaj gjykatës, përmes përpjekjeve të paligjshme për të ndikuar te dëshmitarët e mbrojtur.

Thaçi u shpall gjithashtu fajtor për shkelje të fshehtësisë së procedurës, ndërsa Hajredin Kuçi u dënua për një akuzë të mosbindjes ndaj gjykatës. Ndërkaq, Isni Kilaj u shpall i pafajshëm.

ZPS-ja ka bërë të ditur se akuzat në këtë rast janë ngritur mbi bazën e audioincizimeve të fshehta, të autorizuara nga gjykata, dhe materialeve të sekuestruara.

Sipas prokurorisë, këto prova dëshmojnë se Thaçi, gjatë kohës sa ishte në paraburgim në Hagë, u kishte dhënë udhëzime të paligjshme vizitorëve të tij për të kontaktuar dëshmitarë të ZPS-së në procesin gjyqësor për krime lufte ndaj tij./Zëri