OVL UÇK-ja përcjell nga zyrat qendrore në Prishtinë shpalljen e aktgjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) po e përcjell nga zyret e saj qendrore në Prishtinë shpalljen e aktgjykimit nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të tjerëve, të akuzuar për vepra që lidhen me pengimin e drejtësisë.

Aktgjykimi ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Hajredin Kuçit dhe Fadil Fazliut pritet të shpallet sot, në kuadër të një procesi të veçantë gjyqësor.

Prokuroria i akuzon ata për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitarët e procesit gjyqësor për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Thaçi, i dënuar në shkallë të parë me 25 vjet burgim për krime lufte, përballet me mundësinë e një dënimi tjetër, pasi Prokuroria ka kërkuar edhe gjashtë vjet heqje lirie për pengim të drejtësisë.

Ndërkaq, më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë dënoi në shkallë të parë Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet.

Të katërt u shpallën fajtorë për krime lufte, duke përfshirë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen, ndërsa u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Rasti për pengim të drejtësisë, për të cilin pritet të shpallet aktgjykimi sot, është proces i veçantë gjyqësor.