Konjufca në Samitin e Frankofonisë: Kosova synon anëtarësimin me të drejta të plota

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Kosova synon të bëhet anëtare me të drejta të plota e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.

Përmes një postimi, Konjufca ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në Samitin e 20-të të Frankofonisë, të mbajtur në Kamboxhë, ku ka prezantuar angazhimin e Kosovës për avancimin e statusit të saj në këtë organizatë.

Ai ka rikujtuar se Kosova iu bashkua Frankofonisë në vitin 2014 me statusin e vëzhgueses, ndërsa aktualisht gëzon statusin e anëtarit të asociuar.

“Në Samitin e 20-të Frankofon në Kamboxhë, mora pjesë për ta çuar përpara synimin tonë që Kosova të bëhet anëtare me të drejta të plota”, ka shkruar Konjufca.

Gjatë Konferencës Ministrore, ku u prit nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kamboxhës, Prak Sokhonn, Konjufca ka theksuar se angazhimi i Kosovës në Frankofoni tashmë është konkretizuar përmes aktiviteteve të ndryshme.

“Angazhimi ynë në Frankofoni tashmë ka marrë formë konkrete, nga mësimi i frëngjishtes në shkolla te trajnimet për diplomatët tanë”, ka deklaruar ai.

Në fjalimin e tij para pjesëmarrësve të samitit, Konjufca ka folur edhe për rëndësinë e paqes, drejtësisë dhe ruajtjes së së vërtetës historike, duke theksuar përvojën e Kosovës pas luftës dhe spastrimit etnik.

“Republika e Kosovës është dëshmi në politikën ndërkombëtare se çfarë mund të ndërtojë në paqe një popull që ka përjetuar luftën dhe spastrimin etnik”, ka shkruar ai.

Sipas Konjufcës, paqja afatgjatë është e mundur vetëm kur krimet e së kaluarës dhe përgjegjësit për to përballen me drejtësinë.

“Kjo paqe mbetet afatgjatë vetëm atëherë kur krimet e të kaluarës dhe kryerësit e tyre vihen para drejtësisë, nuk glorifikohen, dhe e vërteta historike nuk shtrembërohet”, ka theksuar ministri.

Në kuadër të samitit, Konjufca ka zhvilluar takime edhe me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, Xavier Bettel, si dhe me ministren e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Anita Anand.

Me Bettel, ai ka diskutuar për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, ndërsa e ka falënderuar Luksemburgun për mbështetjen ndaj Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.

Ndërkaq, në takimin me homologen kanadeze, sipas tij, është diskutuar për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe thellimin e bashkëpunimit institucional në fushën e mbrojtjes.

Konjufca ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së Kanadasë për synimin e Kosovës për anëtarësim të plotë në Frankofoni, duke marrë parasysh se ky shtet do të jetë nikoqir i samitit të vitit 2028.

Gjatë aktivitetit, Kosova ishte e përfaqësuar edhe me një pavijon në “Fshatin e Frankofonisë”, në kopshtin Wat Botum, ku rreth 50 shtete dhe qeveri prezantuan kulturat e tyre.

Në fund të postimit, Konjufca ka vlerësuar se pjesëmarrja në Frankofoni ka ndihmuar Kosovën të ndërtojë marrëdhënie përtej rajonit dhe të forcojë pozitën e saj ndërkombëtare.

“Mbi këtë bashkëpunim duam të ndërtojmë edhe etapën e ardhshme të marrëdhënies sonë me Frankofoninë, me Kosovën si anëtare me të drejta të plota”, ka përfunduar ai.