AUV-i kthen në kufi 27 tonë misër nga Serbia, analizat zbulojnë tejkalim të aflatoksinës

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar hyrjen në Kosovë të një ngarkese prej 27 tonësh misër merkantil nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar tejkalim të nivelit të lejuar të aflatoksinës B1.

Sipas njoftimit të AUV-së, ngarkesa ishte paraqitur për import më 16 nëntor në pikën kufitare të Merdarit dhe ishte importuar nga një kompani nga Peja.

Nga analizat laboratorike është konstatuar se misri përmbante 0.029 mg/kg aflatoksinë B1, ndërsa kufiri i lejuar është 0.020 mg/kg. Kjo nënkupton se niveli i kësaj substance ishte 45 për qind mbi normën e lejuar.

AUV ka sqaruar se aflatoksina B1 është substancë toksike që prodhohet nga disa lloje myqesh dhe mund të gjendet në misër dhe drithëra të tjera. Në rastet kur misri i kontaminuar përdoret për ushqimin e kafshëve qumështore, kjo substancë mund të kalojë në qumësht në formën e aflatoksinës M1, duke paraqitur rrezik për shëndetin e konsumatorëve.

Për këtë arsye, inspektori fitosanitar kufitar ka refuzuar importin dhe ka urdhëruar kthimin e të gjithë ngarkesës prej 27 mijë kilogramësh, duke mos lejuar hyrjen e saj në tregun e Kosovës.

Sipas AUV-së, ngarkesa ishte eksportuar nga një kompani në Serbi. Agjencia ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet kufitare dhe analizat laboratorike për të parandaluar hyrjen e produkteve që nuk përmbushin standardet e sigurisë ushqimore.