Dënohen me 14 vjet burgim dhe 18 mijë euro gjobë katër të akuzuarit në rastin “Eurogirlescort”
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Fabiana Vega, Batuhan Beyoglu, Liridon Jashanica dhe Elton Lecaj, në rastin për krim të organizuar me trafikim me njerëz e vepra tjera penale. Vega u dënua me 2 vjet e 6 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë, Beyoglu me 1 vit e 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Kurse Jashanica e Lecaj me nga 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Në këtë rast, Fabiana Vega dhe Batuhan Beyoglu akuzoheshin për “Krim të organizuar” me “Trafikim me njerëz”. Beyoglu edhe për shitblerje të narkotikëve. Kurse Liridon Jashanica dhe Elton Lecaj akuzoheshin për “Grabitje” dhe “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, raporton “Betimi për Drejtësi".
Aktgjykimi u shpall të hënën nga trupi gjykues me këtë përbërje: Rrahman Beqiri - kryetar dhe anëtarët: Leon Përlaska dhe Kushtrim Shyti.
Sipas vendimit, e akuzuara Fabiana Vega pasi iu rikualifikua vepra penale nga “Krim i organizuar” në “Mundësim/detyrim në prostitucion”, dënohet me 2 vjet e 6 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë. Në këtë dënim, i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
Të njëjtës i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar me këtë aktgjykim.
Të akuzuarit Batuhan Beyoglu pasi iu rikualifikua vepra penale nga “Krim i organizuar” në “Ofrim i lokaleve për prostitucion” iu shqiptua dënim me burgim me 1 vit e 6 muaj dhe 5 mijë euro gjobë, në të cilin i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
Kurse, për shitblerje të narkotikëve, Beyoglu u lirua nga akuza.
Të akuzuarve Liridon Jashanica dhe Elton Lecaj për veprën penale “Grabitja”, Gjykata iu shqipton nga 5 vjet burgim dhe nga 5 mijë euro gjobë.
Të pranishëm në shpallje ishin e akuzuara Vega me avokaten Alma Koljenoviq, i akuzuari Beyoglu me avokaten Kosovare Kelmendi, i akuzuari Lecaj me avokaten Arbenita Aliu, si dhe i akuzuari Jashanica.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 26 gusht 2025, Fabiana Anais Cobos Vega dhe Bathuan Beyoglu akuzoheshin se prej vitit 2019 e deri më 29 korrik 2024 në Prishtinë, në vazhdimësi, sipas marrëveshjes paraprake si grup i organizuar kriminal, me të pandehur të tjerë, Geri Hoha, Reando Biba dhe Astrit Qiriqi, si dhe persona të tjerë nga Shqipëria, Spanja dhe vende tjera të Amerikës Latine, kanë bërë organizimin, rekrutimin, transportimin, transferimin dhe strehimin e personave nga Amerika Latine dhe vende të tjera për në Republikën e Kosovës.
Kjo sipas aktakuzës, me qëllim të përfitimit të dobisë financiare apo pasurore e të cilat gra “eskorta” (gra që ofrojnë shërbime shoqërore-intime kundrejt pagesës) me anë të kanosjes ose përdorimit të forcës apo forma të tjera të shtrëngimit, i kanë detyruar që të ofrojnë shërbime seksuale me pagesë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Geri Hoxha dhe Reando Biba fillimisht kishin vizituar Kosovën me qëllim të identifikimit të tregut për shërbimin e eskortave, e pastaj në marrëveshje paraprake me Vegan themelojnë grupin e organizuar kriminal me role dhe përgjegjësi të ndara. Aty thuhet se Vega në vitin 2023 vjen në Kosovë dhe prej atëherë e udhëheq e mbikëqyrë grupin kriminal, duke siguruar rekrutimin e vajzave- të dëmtuarat: H.G-R. dhe D.A.M.L., dhe të tjera vajza të paidentifikuara deri më tani nga Amerika Latine, Spanja dhe vende të tejra, ku më pas vë kontakte me Hoxhën dhe Biban, ku të dëmtuarat këta të dy i presin në Aeroportin e Tiranës, duke i transportuar më pas me autobus për në Kosovë.
Shërbimet e tyre, të dëmtuarat thuhet se kanë dhënë në Prishtinë, ku Vega përmes të akuzuarit tjetër Batuhan Beyoglu siguronë strehimin për to. Në anën tjetër, thuhet se i pandehuri Qiriqi i kishte sulmuar dhe u kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarave, duke i kërcënuar me fjalët “nëse lëvizni kena me ju vra”.
Tutje, Vega thuhet se të dëmtuarat i regjistron në faqen www.eurogirlsescort.com dhe përmes numrave kontaktues në rrjetin social WhatsApp të njëjtat komunikojnë me persona tjerë, me qëllim të shfrytëzimit të prostitucionit, pornografisë ose formave të tjera të shfytëzimit seksual, ku nga shërbimi seksual i ofruar kanë realizuar përfitim pasuror në shumë prej 50 deri në 300 euro për person, e që paratë i kishte marrë Vega për vete dhe grupin e saj.
Prandaj, Vega dhe Beyoglu ngarkoheshin me veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga Neni 247, paragrafi 1 dhe paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), lidhur me veprën penale “Trafikim me njerëz” nga Neni 165, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së.
Në pikën dy të aktakuzës, Batuhan Beyoglu akuzohej se nga periudha e panjohur e deri më 29 korrik 2024, ka shpërndarë substanca narkotike pa autorizim në atë mënyrë që të dëmtuarës D., në vazhdimësi i ka siguruar narkotikë të llojit marihuanë me qëllim që ajo ta konsumojë për vete dhe t’ua shesë klientëve që u ofronte shërbime seksuale me pagesë e që me rastin e kontrollit nga Policia e Kosovës të dëmtuarës D., i gjendet narkotiku në fjalë në peshë prej 1.3 gramësh.
Prandaj, Beyoglu ngarkohej edhe me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga Neni 267, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Në pikën tre të aktakuzës ngarkohen Liridon Jashanica dhe Elton Lecaj, ku thuhet se më 29 korrik 2024, në bashkëkryerje, të nxitur nga i pandehuri Qiriqi (për të cilin është pezulluar procedura) që të përfitojnë kundërligjshëm dobi pasurore, ashtu që të tre rreth orës 2:00 në Fushë-Kosovë me makinën që e voziste Jashanica, kanë shkuar në apartamentin e Beyoglu në Prishtinë, ku ishin të dëmtuarat H.G.R. dhe D.A.M. dhe me përdorim të forcës e kanosjes serioze u kanë marrë shumën e parave prej 4 mijë e 600 euro, si dhe kishin demoluar banesën, i kishin goditur me grushte e mjete të forta të dëmtuarat, duke u shkaktuar lëndime të lehta trupore dhe dëm material.
Andaj, Jashanica dhe Leci ngarkoheshin me veprën penale “Grabitja” nga Neni 317, paragrafi 1 lidhur me Nenin 31 të KPRK-së.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më datë dhe orë të njëjtë si në pikën tre të aktakuzës, thuhet se me qëllim të shfrytëzimit të shërbimeve seksuale, me pagesë kanë kryer marrëdhënie seksuale me viktimat e trafikimit H.G.S., dhe D.A.M.L., ashtu që Qiriqi fillimisht komunikon me të dëmtuarat përmes telefonit, pastaj u cakton termin dhe më pastaj, me dashje kanë kryer marrëdhënie seksuale me to duke qenë në dijeni se janë viktima të trafikimit dhe i kanë paguar për shërbimin e marrë.
Prandaj, Jashanica dhe Leci ngarkoheshin edhe me veprën penale “Shërbime seksuale të viktimës së trafikimit” nga Neni 228, paragrafi 1 i KPRK-së.