36 vjet nga rihapja e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, simboli i rikthimit të besimit fetar

36 vjet më parë do të rihapej Xhamia e Plumbit në Shkodër, duke shënuar një ngjarje historike për komunitetin mysliman.

Më 16 nëntor 1990, mijëra njerëz u mblodhën para Xhamisë së Plumbit për rihapjen pas dekadave të ndalimit të besimit nga regjimi komunist. Ishte Hafiz Sabri Koçi ai që mbajti faljen e parë publike mes emocioneve të mëdha. Më 16 nëntor, qindra qytetarë të Shkodrës iu drejtuan objektit të kultit islam që kishte qëndruar 23 vjet mbyllur.

Në kujtesën e popullit, nëntori `90 mbetet muaji që vrau frikën. Falja e besimtarëve myslimanë, erdhi pas meshës së mbajtur natën e 4 nëntorit në varrezat e Rrmajit nga Dom Simon Jubani.

Xhamia e Plumbit është një ndër veprat më të rëndësishme të arkitekturës në Shkodër në periudhën e sundimtarëve Bushatllij (1773). Ky objekt madhështor, unik në Shqipëri, i stilit turko-arab tregon për nivelin e lartë qe kishte arritur lagjja “Tabake” rrëzë Kalasë, ku me vënien nën kontroll të saj fillon dhe ngritja e Bushatllijve të Shkodrës.

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, përkujtoji sot me mirënjohje Hafiz Sabri Koçin dhe të gjithë ata që patën guximin të mblidheshin atë ditë.

“Bashkëjetesa fetare që Shkodra ka kultivuar ndër breza është një trashëgimi që e ruajmë së bashku”, u shpreh Beci.