Rizvanolli tregon cilat kompani preken nga ndalimi i tregtimit të energjisë me Serbinë
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka dhënë detaje shtesë lidhur me vendimin e Qeverisë për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe, duke sqaruar se masa vlen për kompanitë që operojnë në Kosovë dhe që kanë lidhje pronësore ose aksionarë nga Serbia.
Ajo ka bërë të ditur se zbatimi i vendimit do të monitorohet nga institucionet përkatëse, përkatësisht Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT).
Rizvanolli ka sqaruar se ndalimi nënkupton pamundësinë e tregtimit brenda territorit të Kosovës me kompani që janë degë të kompanive serbe, që kanë kompani amë në Serbi ose aksionarë dhe lidhje me shtetin serb.
“Për sa i takon zbatimit të vendimeve, janë institucionet përkatëse, ZRRE-ja dhe KOSTT-i, të cilat i monitorojnë dhe përmes së cilave duhet të bëhet zbatimi. Kjo do të thotë që brenda territorit të Republikës së Kosovës nuk mund të tregtohet me kompani që e kanë kompaninë amë në Serbi, ose që janë degë të një kompanie serbe, qoftë nëse janë kompani që kanë aksionarë që janë të shtetit serb ose kanë lidhje me shtetin serb”, ka deklaruar Rizvanolli.
Duke folur për kohën kur është marrë ky vendim, ministrja ka thënë se Kosova ka marrë konfirmimin zyrtar për shkeljen e Serbisë në tetor të vitit 2025, nga Sekretariati dhe Këshilli i Ministrave të Komunitetit të Energjisë.
Ajo ka thënë se Serbia kishte pasur afat për ta zbatuar obligimin, por kjo nuk kishte ndodhur. Sipas saj, Qeveria kishte bërë edhe një përpjekje të fundit përmes Bashkimit Evropian, me qëllim që linjat të liroheshin para dimrit.
“Siç e përmenda më herët, ne në tetor të vitit 2025 kemi marrë konfirmimin për këtë shkelje, zyrtarisht shkelje të ligjit nga Sekretariati dhe Këshilli i Ministrave të Komunitetit të Energjisë. Sipas atij vendimi, Serbia ka pasur afat me një korrigjim për ta zbatuar atë obligim. Kjo nuk ka ndodhur, megjithatë ne kemi bërë edhe një përpjekje të fundit, siç e thashë, përmes Bashkimit Evropian që para dimrit t’i lirojmë linjat, që të mundësohet tregtimi përmes këtyre linjave. Duke qenë se kjo nuk ka ndodhur, po e bëjmë tani”, ka thënë ajo.
Rizvanolli ka theksuar se Kosova, si shtet që respekton ligjin vendor dhe atë ndërkombëtar, është treguar e kujdesshme para ndërhyrjes në tregun e energjisë. Ajo ka shtuar se deri më tani nuk kanë pasur informacione apo indikacione se ndonjë kompani kosovare ka tregtuar energji me kompanitë serbe.
Megjithatë, ministrja ka përmendur si përjashtim furnizuesin që operon në komunat veriore dhe që është themeluar në kuadër të marrëveshjes së Brukselit. Sipas saj, ky furnizues merr energji nga Serbia, por në këtë fazë nuk do të preket nga masa, për shkak se funksionon mbi bazën e një marrëveshjeje ndërkombëtare.
“Një përjashtim është furnizuesi që furnizon në komunat veriore, që është themeluar në kuadër të marrëveshjes së Brukselit, i cili sipas informatave tona merr energji nga Serbia dhe në këtë fazë, për shkak se bazohet në një marrëveshje ndërkombëtare, ne nuk do të ndërhyjmë aty. Mirëpo, siç e tha edhe kryeministri, nuk e përjashtojmë mundësinë që në të ardhmen masa të përshkallëzohet dhe të prekë edhe atë kompani dhe të rishqyrtojmë në tërësi zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për energjinë, nëse Serbia nuk e zbaton në anën e saj”, ka deklaruar Rizvanolli.
Ajo ka thënë se nuk mund të flasë për furnizuesit e tjerë të vegjël që operojnë në treg, pasi mbikëqyrja e tregut nuk është përgjegjësi e Ministrisë së Ekonomisë.
Rizvanolli ka përmendur edhe ndërmarrjet publike KESCO dhe KEDS, duke thënë se sipas informacioneve dhe raportimeve të tyre, nuk ka pasur tregtim të energjisë me kompanitë serbe.
“Sidoqoftë, është ZRRE-ja, siç e dini, autoriteti që është përgjegjës për mbikëqyrjen e tregut dhe ka qenë një periudhë ku mbikëqyrja e ZRRE-së realisht ka qenë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, për shkak se nuk kemi pasur Kuvend të konstituuar. Mirëpo, besoj që tani edhe ata do të jenë më vigjilentë, edhe Kuvendi është aty për t’i mbikëqyrur dhe për të marrë të gjitha format e duhura”, ka përfunduar Rizvanolli. /eo