Çitaku reagon për këngën nacionaliste serbe në Bruksel: Kosovën e lënë jashtë, provokimit i japin skenë

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar lidhur me interpretimin e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosova, Kosova” në një aktivitet të organizuar në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Përmes një reagimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Çitaku e ka cilësuar këtë veprim si skandal dhe provokim, duke kritikuar organizatorët për lejimin e interpretimit të një kënge që, sipas saj, promovon pretendime ndaj Kosovës.

“Kosovën e lënë jashtë, provokimit i japin skenë!”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka theksuar se në një forum që synon diskutimin për të ardhmen evropiane të rajonit, interpretimi i një melodie nacionaliste serbe që ushqen pretendime ndaj Kosovës është i papranueshëm.

Çitaku ka shtuar se, pavarësisht nëse kjo ka ndodhur për shkak të injorancës apo qëllimit, përgjegjësia institucionale mbetet e pashmangshme.

Ajo është ndalur edhe te reagimi i komisioneres evropiane, Marta Kos, duke vlerësuar se keqardhja e saj është e nevojshme, por nuk mjafton për të adresuar rastin.

“Komisioni Evropian nuk mund t’ua bartë përgjegjësinë vetëm muzikantëve. Kërkojmë sqarim, kërkim faljeje dhe garanci për mospërsëritje. Pajtimi fillon me respektin për kujtesën dhe dinjitetin e secilit popull”, deklaroi Çitaku.