Ibishi për lëndimin e ushtarit të FSK-së gjatë trajnimit: Rasti të hetohet dhe të merren masa
Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, ka vlerësuar se lëndimet gjatë manipulimit me armë dhe realizimit të ushtrimeve ushtarake mund të ndodhin edhe në forcat e armatosura me përvojë, por ka theksuar se çdo rast duhet të hetohet dhe të trajtohet me seriozitet, në mënyrë që të identifikohen shkaqet dhe të parandalohen raste të ngjashme në të ardhmen.
Duke komentuar rastin e një pjesëtari të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili u lëndua gjatë një trajnimi në poligon, pasi arma me të cilën po ushtronte shpërtheu, Ibishi për Ekonomia Online ka thënë se një situatë e tillë mund të lidhet me armën ose municionin, përfshirë edhe raketëhedhësin 40 milimetra.
“Por shiko, këto raste ndodhin. Unë jam vetë ushtarak edhe e di, u kanë ndodhur edhe kolegëve të mi që kanë një eksperiencë më të gjatë. Ndodhin gjatë manipulimit me armë, ka të bëjë me raketëhedhësin, pra 40 mm. Tash, a është shkaktar arma apo municioni, nuk është me rëndësi, por është me rëndësi të konstatohet se pse ka ardhur deri te ajo”, tha Ibishi.
Ai ka theksuar se prioriteti kryesor duhet të jetë mbrojtja e jetës dhe shëndetit të pjesëtarëve të FSK-së, ndërsa pas kësaj duhet të përcaktohen rrethanat dhe shkaqet që çuan deri te incidenti.
“Në radhë të parë, pjesëtarët e FSK-së që mbrohen nga shteti, domethënë, në radhë të parë ka të bëjë me parimet e mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të pjesëtarëve të FSK-së. Mandej çështja tjetër është që të konstatohen shkaqet se pse ka ardhur deri te ajo havari. E mandej të merren masa që ajo të mos përsëritet”, ka thënë ai.
Sipas Ibishit, nëse incidenti ka ardhur si pasojë e ndonjë mospërputhjeje në kalibrin e armës apo municionit, kjo çështje duhet të sqarohet dhe të tejkalohet, pavarësisht nëse bëhet fjalë për prodhues të ndryshëm.
Ai ka kërkuar që rasti të trajtohet përmes mekanizmave institucionalë të FSK-së, duke filluar nga strukturat e brendshme, komandanti dhe Inspektorati i FSK-së, deri te Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet e tjera mbikëqyrëse.
“Gjithashtu edhe masat që duhen ndërmarrë aty për aty, pra të merren edhe masat e raportit apo të ekspertizës që kjo gjendje të tejkalohet. Pra, duke filluar prej strukturës së brendshme të FSK-së, mandej komandantit, Inspektoratit të FSK-së, mandej ministrit që kërkon gjithashtu raport, deri te ministri i Mbrojtjes, flas gjithherë, deri në Qeveri”, ka deklaruar Ibishi.
Ibishi ka përmendur edhe mekanizmat e tjerë që, sipas tij, duhet të ushtrojnë mbikëqyrje dhe të kujdesen për të drejtat e pjesëtarëve të FSK-së, duke përfshirë komisionerin e FSK-së dhe Komisionin parlamentar për FSK-në dhe Sigurinë.
“Ne kemi, nëse për opinion nuk është e ditur, e kemi komisionerin e FSK-së, i cili pak duket në opinion. Nuk e di a punon diçka ai, që ka të bëjë me të drejtat edhe detyrat e pjesëtarëve të FSK-së, i mbron ai. Deri te Komisioni parlamentar për FSK-në edhe Sigurinë”, theskoi ai.
Ibishi ka shtuar se edhe nëse bëhet fjalë për një lëndim të lehtë, kjo nuk e përjashton nevojën që rasti të hetohet dhe të ndiqen procedurat përkatëse. Sipas tij, FSK-ja nuk duhet të trajtohet si institucion i mbyllur sa herë që ndodhin incidente të tilla, pasi ato nuk përbëjnë domosdoshmërisht informacione të klasifikuara.
“Pra, në gjithë këtë, unë po marr nga ajo që ndoshta është një lëndim i vogël, por pa pasur parasysh, ai duhet të konstatohet në këtë procedurë çfarë e përshkrova unë, edhe s’ka kurrgjë të keqe. FSK-ja nuk është një krijesë tash e fshehur, sekrete diçka, përveç asaj që i ka dokumentet e klasifikuara. Edhe këto gjëra ndodhin në çdo forcë të armatosur”, ka theksuar eksperti i sigurisë.
Sipas tij, problemi do të ishte nëse rasti fshihet apo nuk bëhet publik, ndërsa mediat nuk duhet të kritikohen për publikimin e një ngjarjeje të tillë.
“Nuk ka vend, nuk ka vend për kritika. Ka vend kritika nëse ato mbyllen, fshihen. Edhe s’ka tash të bëhet një mllef ndaj gazetarëve pse kanë publikuar. Po duhet publikuar, pse jo, se nuk është ndonjë sekret. Ajo është qoftë një qitje në shenjë apo është një ushtrim taktik me qitje me armë të zjarrit. Domethënë, këto janë të zakonshme”, ka deklaruar Ibishi.
Tutje ai ka theksuar se vëmendja duhet të përqendrohet te respektimi i procedurave të sigurisë, hetimi i rrethanave dhe marrja e masave për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla.
“Mendoj se në këtë drejtim vetëm kritikat mund të adresohen: a janë respektuar procedurat, çfarë duhet të bëhet që të mos përsëriten më. Nuk u bë kështu kiameti. Fati që nuk ka përfunduar me një fatalitet, por jo të mos zbatohen këto procedura”, ka potencuar ai.
Ibishi ka rikthyer vëmendjen edhe te përgjegjësitë institucionale, duke kërkuar që të sqarohet roli i secilit mekanizëm në trajtimin e incidenteve të tilla, nga komandanti i FSK-së dhe Inspektorati, deri te ministri, kryeministri dhe komisioneri i FSK-së.
“Cila është detyra e komandantit të FSK-së, cila është detyra e Inspektoratit, cila është detyra e ministrit, cila është detyra e kryeministrit, cila është detyra e komisionerit të FSK-së? As opinioni nuk e di se çfarë detyre kryen ai për FSK-në. Gjithashtu edhe Komisioni parlamentar. Pra, nuk duhet disa çështje të trajtohen sikur janë sekrete, domethënë asgjë nuk është sekret aty. Për këtë arsye unë e kam kritikën”, shtoi.
Ndryshe, Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se një pjesëtar i saj ka pësuar lëndime të lehta gjatë një trajnimi në njërin prej poligoneve të saj. Sipas njoftimit, incidenti ka ndodhur para disa muajsh, ndërsa reagimi i FSK-së erdhi pas publikimit në disa media të një videoje ku shihet momenti kur ushtarit i shpërthen arma gjatë stërvitjes.
Në sqarimin e saj, FSK-ja ka bërë të ditur se gjatë realizimit të trajnimeve me municione ekziston rrezikshmëri e lartë dhe se paraprakisht ndërmerren masa parandaluese për menaxhimin e rrezikut.