Nga vizat italiane e subvencionet, te dyshimet për trafikim të kokainës – Astrit Haraqija ndër vite
Ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, është në mesin e personave të ndaluar në operacionin antidrogë të Policisë së Kosovës, të koduar “Heshtja”, i realizuar më 14 nëntor 2026 në rajonin e Prishtinës.
Sipas burimeve të KALLXO-s brenda Policisë së Kosovës, Haraqija është njëri nga personat e ndaluar në këtë aksion, i cili kishte në cak një grup të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të kokainës.
Ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, është në mesin e personave të ndaluar në operacionin antidrogë të Policisë së Kosovës, të koduar “Heshtja”, i realizuar më 14 nëntor 2026 në rajonin e Prishtinës.
Sipas burimeve të KALLXO-s brenda Policisë së Kosovës, Haraqija është njëri nga personat e ndaluar në këtë aksion, i cili kishte në cak një grup të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të kokainës.
Operacioni u realizua nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Gjatë aksionit u arrestuan gjashtë persona, ndërsa u sekuestruan rreth 1.6 kilogramë kokainë, para të gatshme, gjashtë vetura dhe asete të tjera, vlera e përgjithshme e të cilave vlerësohet në rreth 301 mijë euro.
Kush eshte Astrit Haraqija?
Astrit Haraqija ka pasur disa pozita publike gjatë karrierës së tij politike.
Ai ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputet, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në periudhën 2004–2007, si dhe zëvendësministër i Financave në Qeverinë e Kosovës.
Në korrik të vitit 2012, Haraqija dha dorëheqje nga pozita e zëvendësministrit të Financave, në kohën kur po përballej me procedura gjyqësore lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Një nga rastet më të njohura gjyqësore ndaj Haraqisë lidhej me subvencionimin e dy projekteve filmike gjatë kohës sa drejtonte Ministrinë e Kulturës.
Prokuroria pretendonte se gjatë viteve 2006 dhe 2007 ishin ndarë mjete financiare për dy projekte filmike, pa respektuar procedurat përkatëse, ndërsa njëri nga filmat nuk ishte realizuar.
Në dhjetor të vitit 2016, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor Haraqinë dhe e kishte dënuar me një vit burgim me kusht.
Megjithatë, në vitin 2017 procedura penale ndaj tij kishte përfunduar për shkak të parashkrimit të veprës penale, pa një vendim përfundimtar mbi bazueshmërinë e akuzës.
Rasti i vizave italiane
Haraqija ishte përfshirë edhe në rastin e njohur si “Vizat Italiane”, ku së bashku me deputetin e LDK-së, Ukë Rugova dhe persona të tjerë akuzohej për krim të organizuar dhe kontrabandim me migrantë.
Sipas aktakuzës, grupi dyshohej se kishte mundësuar pajisjen e qytetarëve me viza Schengen përmes Ambasadës Italiane në Prishtinë, në mënyrë të kundërligjshme dhe për përfitime materiale.
Por, më 30 mars 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë e liroi Haraqinë nga këto akuza pasi vlerësoi se nuk ishte provuar kryerja e veprave penale.
Në nëntor të vitit 2025, Gjykata e Apelit e vërtetoi aktgjykimin lirues.
Rasti në Tribunalin e Hagës
Një tjetër përballje me drejtësinë për Haraqinë kishte ndodhur në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY).
Në vitin 2008 ai ishte akuzuar për përbuzje të gjykatës, lidhur me pretendimet se kishte tentuar të ndikonte te një dëshmitar i mbrojtur në procesin gjyqësor kundër Ramush Haradinajt.
Haraqija fillimisht ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me pesë muaj burgim.
Megjithatë, më 23 korrik 2009, Dhoma e Apelit e Tribunalit e kishte rrëzuar vendimin e dënimit.
Ndërkohë, lidhur me operacionin e fundit “Heshtja”, Haraqija dyshohet për përfshirje në një grup që merrej me trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës në Prishtinë.
Deri më tani, roli i tij i pretenduar në këtë rast nuk është bërë publik në detaje. Hetimet janë duke vazhduar nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Ndalimi dhe dyshimet e ngritura ndaj tij nuk përbëjnë dëshmi të fajësisë. Për rastin e fundit do të vendosë drejtësia.