Musmurati pranon mungesën e komunikimit për “Ulpiana 2030 Legacy”: Pa pajtimin e banorëve, projekti nuk zhvillohet
Nënkryetarja e Prishtinës, Besiana Musmurati, ka pranuar se vendimmarrja për projektin “Ulpiana 2030 Legacy” është shoqëruar me mungesë të komunikimit me banorët, ndërsa ka deklaruar se projekti nuk do të zhvillohet nëse kundërshtohet prej tyre.
Musmurati ka vlerësuar se paqartësitë rreth projektit janë shfrytëzuar politikisht nga asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë, ajo ka pranuar se shqetësimet e banorëve janë të drejta dhe se Komuna është dashur të komunikonte më shumë për ndërhyrjet e propozuara në lagje.
“Këtu ka qenë një mungesë e komunikimit, me thënë të drejtën, që pastaj shkaktoi shumë paqartësi, e pastaj është amplifikuar shumë edhe nga asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka deklaruar Musmurati.Duke shpjeguar arsyetimin për projektin, Musmurati ka thënë se ai lidhet me nevojën për shtimin e kapaciteteve të akomodimit për Lojërat Mesdhetare. Sipas saj, ishte kërkuar që kampusi universitar të shfrytëzohej për akomodimin e rreth 5.000 sportistëve, ndërsa kapacitetet ekzistuese të konvikteve, sipas vlerësimit të saj, mund të siguronin rreth 2.600 vende.
“Projekti të cilin e kemi votuar në Kuvend thotë shumë qartë: do të ndërtohet një objekt që u shërben Lojërave Mesdhetare dhe nuk do të ketë karakter komercial”, është shprehur ajo.E pyetur se çfarë do të ndodhte me objektin pas përfundimit të lojërave, Musmurati ka përmendur mundësinë e përdorimit të tij për banim të përballueshëm për çiftet e reja. Këtë e ka paraqitur si mundësi për shqyrtim, jo si vendim përfundimtar.
“Pastaj duhet të shikojmë. Në qoftë se ndërtohet, mund të jetë banim i përballueshëm për çiftet e reja, sepse ajo do të jetë e Komunës dhe do të jetë në shfrytëzim të Komunës”, ka thënë Musmurati.
Duke iu përgjigjur kundërshtimeve të banorëve, ajo ka deklaruar se zhvillimi i projektit kushtëzohet me pajtimin e tyre.
“Në qoftë se banorët e kundërshtojnë, atëherë ne kemi thënë që ajo nuk do të zhvillohet”, ka deklaruar ajo.Musmurati ka theksuar se nga ky rast duhet të nxirret mësim për komunikimin me qytetarët përpara vendimeve që prekin lagjet e Prishtinës.
Ndërkohë, Këshilli i Banorëve të lagjes Ulpiana i ka kërkuar Kuvendit Komunal të Prishtinës anulimin e vendimit për caktimin e lokacionit për projektin “Ulpiana 2030 Legacy”, të miratuar më 6 nëntor 2026.Në kërkesën drejtuar kryesuesit dhe të gjithë asamblistëve, me kopje edhe për kryetarin Përparim Rama, banorët kanë kundërshtuar lokacionet e përcaktuara për realizimin e projektit.
Anulimin e vendimit për caktimin e hapësirës “Te Fontana” për këtë projekt e ka kërkuar edhe Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës, duke vlerësuar se ndërtimet e reja do të rrezikonin trashëgiminë urbanistike të lagjes.
Në deklaratën publike, Asociacioni ka theksuar se Ulpiana përfaqëson një nga shembujt më të rëndësishëm të urbanizmit modernist dhe të zhvillimit të planifikuar të Prishtinës.