Laporta: Lamine Yamal është gjeni, ajo që e bën të veçantë është pjekuria e tij
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka vlerësuar lart talentin e Lamine Yamalit, duke theksuar se përtej cilësive të jashtëzakonshme teknike, ajo që e dallon më shumë është pjekuria e tij në një moshë kaq të re.
Në një intervistë për gazetën holandeze “De Telegraaf”, Laporta e cilësoi yllin e Barcelonës si një futbollist të veçantë.
“Lamine Yamal është gjeni, një futbollist shumë special, me cilësi të jashtëzakonshme teknike, kreativitet dhe aftësi të rralla për të kaluar kundërshtarët. Ajo që e bën edhe më të jashtëzakonshëm është pjekuria dhe mënyra se si e kupton lojën në një moshë kaq të hershme”, deklaroi Laporta.
Ai theksoi se krahasimet me Lionel Messin dhe Johan Cruyffin janë të pashmangshme, por secili prej tyre i përket një epoke të ndryshme.
Sipas tij, Yamal meriton mundësinë për të shkruar historinë e vet dhe për të ndërtuar trashëgiminë e tij në futboll.
Laporta shtoi se Barcelona ka përgjegjësinë ta mbrojë talentin e ri dhe t'i krijojë kushtet e duhura për zhvillimin e tij.
“Jemi jashtëzakonisht krenarë që një lojtar i këtij niveli ka dalë nga La Masia”, përfundoi presidenti katalunas. /Zëri