Revolucion në parfumeri, IA zbulon aroma të pamenduara dhe sfiduese

Bergamoto si zgjedhje e parë, iris pallida si zgjedhje e mesme dhe algoritmi si zgjedhje bazë.

Edhe në botën magjepsëse të parfumeve, inteligjenca artificiale ka fituar terren, duke përshpejtuar proceset kërkimore dhe duke hapur horizonte të reja, pa zëvendësuar ekspertizën e krijuesit të parfumeve.

Me hapjen e ”Maison des Parfums” (”Shtëpia e Parfumeve”), në vitin 2025 në Paris, grupi amerikan ”Estée Lauder” (me markat e parfumeve ”Kilian Paris”, ”Le Labo”, ”Jo Malone”) synon të ndërthurë teknologjinë me mjeshtërinë tradicionale.

Sipas Lucas Nanini, zëvendëspresident i inovacionit në fushën e parfumerisë, inteligjenca artificiale ofron përparësi të shumta, veçanërisht në zhvillimin e formulimeve të reja. Ai prezanton ndër të tjera një vaj me teksturë më të lehtë në lëkurë, të cilin dëshiron që vizitorët ta provojnë.

Në pamje të parë, bota digjitale duket larg universit shqisor të parfumerisë.

”Megjithatë, aplikimet e saj janë të shumta”, thekson ai.

”Inteligjenca artificiale do të na mundësojë të punojmë me atë që ne e quajmë paradokse. Një prej tyre mund të jetë, për shembull: Si mund të krijojmë një vaj të pasur, por njëkohësisht mjaftueshëm të lehtë për t’u përhapur? Sot, inteligjenca artificiale na ndihmon të identifikojmë vajra me veti që do të ishte e pamundur t’i zbulonim përmes metodave tradicionale eksperimentale, nëse nuk do të kishim vite të tëra në dispozicion”, shpjegon ai.

Inteligjenca artificiale ndihmon gjithashtu në thjeshtimin e procedurave rregullatore, veçanërisht në përzgjedhjen e përbërësve të lejuar në tregje të ndryshme. Me një klikim të vetëm, krijuesi i parfumeeve mund të verifikojë nëse një përbërës lejohet në një vend të caktuar si dhe të marrë informacion mbi përqendrimet maksimale të autorizuara.

Ky është një avantazh i rëndësishëm, duke pasur parasysh se ata kanë në dispozicion më shumë se 1 000 përbërës për krijimet e tyre.

Inteligjenca artificiale është e dobishme edhe për identifikimin e molekulave alternative, që ofrojnë karakteristika të ngjashme aromatike me disa lëndë të para me origjinë shtazore, si civeta, përdorimi i së cilës është braktisur kryesisht për arsye etike dhe rregullatore.

Krijimtaria

Përfitimi në kohë është gjithashtu i konsiderueshëm. Në kompaninë amerikane IFF (”International Flavors & Fragrances”), e specializuar në zhvillimin dhe prodhimin e aromave dhe parfumeve, vlerësohet se përdorimi i inteligjencës artificiale u mundëson krijuesve të parfumeve të fitojnë 25 deri në 30% më shumë kohë për punën krijuese.

Në një treg parfumerie që po njeh rritje, i nxitur edhe nga popullariteti gjithnjë e më i madh i parfumeve të veçanta (niche), kompanitë kryesore botërore të aromave dhe parfumeve, si gjiganti zviceran ”Givaudan” dhe kompania franceze ”Robertet”, prej disa vitesh po investojnë në teknologji që synojnë të përshpejtojnë kërkimin dhe zbulimin e molekulave të reja.

Edhe IFF ka zhvilluar mjetet e veta të inteligjencës artificiale, të trajnuara mbi të dhëna të mbledhura nga kompania gjatë disa dekadave. Një prej këtyre mjeteve sugjeron kombinime të mundshme mes përbërësve të ndryshëm. Parfumeri i kompanisë, Tanguy Guesnet, e përdor atë si një asistent në procesin krijues.

”Çdo parfumer është në kërkim të kombinimit që do të ngjallë emocionin e së nesërmes”, shprehet ai.

Duke u nisur nga një përbërës i caktuar, sistemi analizon molekulat që e përbëjnë atë dhe sugjeron përbërës të tjerë me karakteristika të përbashkëta. Për shembull, ai mund të analizojë përbërjen e esencës së mentes, ku mentoni është një nga përbërësit kryesorë, dhe të propozojë një tjetër lëndë aromatike që përmban të njëjtën molekulë.

”Disa kombinime mund të duken të natyrshme dhe të pritshme, ndërsa të tjera mund të duken disi të pazakonta. Por pikërisht këtu qëndron vlera e këtij mjeti: ai nxit krijimtarinë dhe më shtyn të mendoj për kombinime shumë origjinale”, thotë Guesnet.

A mund të çojnë këto teknologji, në të ardhmen, drejt standardizimit të krijimtarisë apo të kufizojnë zbulimet e rastësishme?

”Unë do të jem gjithmonë ai që vendos për zhvillimin e notës aromatike dhe identitetin e parfumit. Vizioni krijues mbetet imi”, thekson parfumeri.

Edhe Guillaume Teule, bashkëthemelues i shtëpisë franceze të parfumerisë ”Helius”, mendon se inteligjenca artificiale nuk mund të zëvendësojë intuitën e krijuesit.

”Njësoj si në muzikë, kur fillojmë të ndryshojmë përbërësit, shfaqen harmoni dhe disonanca. Dhe pikërisht disonancat janë ato që e bëjnë krijimin interesant, sepse vetëm njeriu di t’u japë vlerë”, thekson ai.

Si shembull, Teule përmend parfumin ”Angel” të Thierry Mugler, prezantuar në vitin 1992, i cili kontribuoi në krijimin e një kategorie të re në parfumeri, atë të aromave gourmand, të frymëzuara nga ëmbëlsirat dhe ushqimet.

”Jam i bindur se asnjë inteligjencë artificiale nuk do ta kishte miratuar krijimin e parfumit ‘Angel’. Kur u prezantua, ai përmbysi pritshmëritë dhe tronditi tregun, duke hapur rrugën për një kategori të re parfumesh”, përfundon ai./  atsh