OVL UÇK-ja kërkon reagimin e Prokurorisë pas thirrjeve për eliminimin politik të ish-krerëve të UÇK-së

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave në të cilat Elmi Reçica, Sami Lushtaku, Ramush Haradinaj dhe Hysni Gucati janë etiketuar si “kapot e krimit dhe korrupsionit”, duke kërkuar nga organet e drejtësisë që të shqyrtojnë përmbajtjen e tyre.

Në reagimin e saj, OVL-UÇK i ka cilësuar të papranueshme etiketimet dhe thirrjet për eliminimin e këtyre figurave nga skena politike, raporton lajmi.net.

“Është e papranueshme që emra si Elmi Reqica, Sami Lushtaku, Ramush Haradinaj dhe Hysni Gucati të etiketohen me akuza të rënda, duke i cilësuar si ‘kapot e krimit dhe korrupsionit’, e aq më shqetësuese është thirrja për eliminimin e tyre nga skena politike”, thuhet në reagim.

Sipas organizatës, mospajtimet politike nuk mund të shërbejnë si arsyetim për përdorimin e gjuhës së urrejtjes, kërcënimeve apo linçimit publik.

OVL-UÇK ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit dhe institucionet kompetente që ta trajtojnë me seriozitet deklaratën, të vlerësojnë rrethanat në të cilat është bërë dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore.

“Nuk mund të ndërtohet as drejtësi, as paqe shoqërore përmes gjuhës së urrejtjes, kërcënimeve dhe linçimit publik”, thekson organizata.

Në fund të reagimit, OVL-UÇK ka bërë thirrje për përgjegjësi në komunikimin publik, duke theksuar se liria e shprehjes nuk duhet të përdoret për kërcënime apo nxitje të dhunës.

“Liria e shprehjes nuk është liri për të kërcënuar. Për fjalën publike duhet të ketë edhe përgjegjësi publike dhe ligjore!”, përfundon reagimi.

Në deklaratën e përcjellë nuk specifikohet se kush i ka bërë komentet që kanë nxitur reagimin e organizatës.