Haziri: Republika mban autorësinë e Rugovës, Adem Jasharit e kryengritësit e tjerë janë meritë e tij, Demaçit, Bukoshit e Ahmet Krasniqit
Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke reaguar lidhur me debatin për ndikimin e Ibrahim Rugovës në zhvillimet në Kosovë gjatë dhe pas viteve ’90, ka thënë se, ish-presidenti i parë i vendit, ‘’ ka ndikuar që ëndrra e shqiptarëve të Kosovës të realizohet më 17 shkurt 2008’’.
Haziri, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar edhe se Republika e Kosovës e ‘’mban autorësinë e tij’’.
‘’ Ndërkaq, Adem Jashari dhe kryengritësit çlirimtarë, nën një emblemë, një uniformë e një komandë, ishin meritë e tij, Adem Demaçit, Bujar Bukoshit e Ahmet Krasniqit’’, ka shkruar Haziri mes tjerash.
Postimi i plotë:
Ibrahim Rugova, jo që ka pasur rëndësi e peshë politike sa ka qenë në jetë, deri më 21 janar 2006, por pesha e tij ka ndikuar që ëndrra e shqiptarëve të Kosovës të realizohet më 17 shkurt 2008. Deshi apo s’deshi dikush, Republika e mban autorësinë e tij.
Ndërkaq, Adem Jashari dhe kryengritësit çlirimtarë, nën një emblemë, një uniformë e një komandë, ishin meritë e tij, Adem Demaçit, Bujar Bukoshit e Ahmet Krasniqit.
Pra, rezistencën e bëmë bashkë, luftën e bëmë bashkë, dhe ajo më madhështorja, Republikën e bëmë bashkë nën udhëheqjen e liderit, i cili ishte një hap para të gjithëve.
Edhe foton e Titos ua larguam nga dhomat e shtëpive, emrin e shkruar ua larguam nga librat dhe mendjet e tyre, por nostalgjinë për të, si duket, jo.
Populli mban mend shumë. Republika është kompromisi më i madh që e kemi bërë, rrjedhimisht, kjo ishte fitorja më e madhe e shqiptarëve.
Hapi tjetër është që të jemi më të bashkuar, pse jo, në dallimet tona, çfarëdo qofshin ato. Me shkaktu procese e realizu ëndrra.
LDK, besë e shpresë për Republikën!