Sondazhi: Shumica e evropianëve mbështesin krijimin e një ushtrie të BE-së
Sipas një sondazhi të ri të realizuar nga instituti i studimeve të sigurisë GLOBSEC, shumica e evropianëve mbështesin krijimin e një ushtrie të Bashkimit Evropian (BE), me 71 për qind që janë në favor të kësaj ideje, në një kohë kur po rriten shqetësimet për besueshmërinë e angazhimeve të sigurisë së SHBA.
Raporti “Trendet 2026”, i publikuar nga GLOBSEC, zbuloi se mbështetja për një ushtri të BE-së ishte e gjerë në vendet e anketuara, duke arritur në 82 për qind në Rumani, 78 për qind në Lituani dhe 75 për qind në Francë.
Mbështetja ishte rreth 70 për qind në Poloni dhe Bullgari, ndërsa 69 për qind e të anketuarve në Gjermani ishin në favor të kësaj ideje, pavarësisht rezervave tradicionale në disa vende për një integrim më të thellë të mbrojtjes evropiane.
Sondazhi përfshiu 14 vende në rajonin transatlantik, përfshirë 11 vende anëtare të BE, Ukrainën, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në.
Gjetjet treguan gjithashtu mbështetje të fortë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Evropës krahas NATO dhe jo për zëvendësimin e aleancës transatlantike.
Rreth 78 për qind e të anketuarve në vendet e BE-së mbështetën zhvillimin e kapaciteteve të veta mbrojtëse të bllokut krahas NATO-s, ndërsa 77 për qind e të anketuarve në vendet anëtare të NATO-s thanë se do të votonin për të mbetur në aleancë.
Mbështetja për rritjen e gatishmërisë ushtarake përfshinte edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Mes të anketuarve në vendet ku nuk zbatohet rekrutimi i detyrueshëm, 64 për qind ishin në favor të rikthimit të tij, me mbështetjen më të lartë në Republikën Çeke, Francë, Gjermani dhe Sllovaki.
Sipas raportit, më shumë se 80 për qind e të anketuarve besojnë se vendet evropiane duhet të marrin përsipër përgjegjësi më të madhe për sigurinë e tyre, nëse SHBA-ja e zvogëlon rolin e saj.
Ndërkohë, 60 për qind mbështesin rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, ndërsa një përqindje e ngjashme thanë se do ta mbronin personalisht vendin e tyre në rast sulmi.
Megjithatë, besimi në aftësinë e Evropës për t’u mbrojtur mbetet i kufizuar. Vetëm gjysma e të anketuarve besojnë se Evropa mund të garantojë sigurinë e saj pa mbështetjen e fortë të SHBA-së, ndërsa vetëm një e treta e konsiderojnë vendin e tyre të përgatitur për një krizë të madhe ose luftë.
Më shumë se një e treta e të anketuarve evropianë e shohin SHBA si kërcënim për sigurinë
Raporti gjithashtu theksoi tensionet në rritje me Washingtonin, ku më shumë se një e treta e të anketuarve evropianë e konsiderojnë SHBA-në si kërcënim për sigurinë e vendit të tyre. Kjo shifër kaloi gjysmën në Gjermani.
Për më tepër, 73 për qind e të anketuarve shprehën qëndrime negative ndaj ndërhyrjeve ushtarake të SHBA-së jashtë vendit, përfshirë ato në Iran dhe Venezuelë.
Pavarësisht këtyre shqetësimeve, më shumë se tre të katërtat e të anketuarve vazhdojnë ta konsiderojnë të rëndësishëm rolin e SHBA në sigurinë evropiane. Në çdo vend të anketuar, përveç Bullgarisë, mbështetja për ruajtjen e pranisë së trupave amerikane në Evropë ishte më e lartë se kundërshtimi.
Sa i përket luftës në Ukrainë, gjashtë në 10 të anketuar thanë se siguria e këtij vendi është e rëndësishme për sigurinë e vendit të tyre, ndërsa një përqindje e ngjashme mbështeti vazhdimin e ndihmës për Kievin.
Rusia mbeti kërcënimi kryesor i jashtëm i identifikuar nga të anketuarit, ku më shumë se dy të tretat e konsiderojnë Moskën si kërcënim.
Manipulimi i informacionit u identifikua gjithashtu si një nga kërcënimet më serioze që lidhen me Rusinë. Megjithatë, raporti zbuloi se më shumë se një e treta e të anketuarve vazhdojnë të pranojnë narrativën e Kremlinit se Perëndimi e provokoi pushtimin rus të Ukrainës.
Gjetjet theksuan gjithashtu pakënaqësinë e përhapur me funksionimin e qeverisjes demokratike, ku vetëm 8 për qind e të anketuarve e konsiderojnë demokracinë në vendin e tyre plotësisht funksionale. /abcnews