Foda flet pas barazimit me Izraelin: Na munguan golat për fitore

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur pas barazimit 0:0 ndaj Izraelit, duke thënë se skuadra e tij e zbatoi planin e paraparë, por dështoi në konkretizimin e rasteve për gol.

Në prononcimin pas ndeshjes, Foda vlerësoi se “Dardanët” e nisën mirë takimin, veçanërisht në 25 minutat e para, por nuk arritën t’i shfrytëzonin mundësitë e krijuara.

“Na munguan golat për fitore. E filluam mirë në 25 minutat e para, por nuk i shfrytëzuam rastet e pjesës së parë”, deklaroi Foda.

Ai u shpreh se Kosova krijoi mundësi edhe në pjesën e dytë, pavarësisht se mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Veldin Hoxhës.

“Pjesën e parë, ajo që u planifikua edhe u realizua, mirëpo nuk i shfrytëzuam rastet. Në pjesën e dytë, me një lojtar më pak, edhe aty i kishim disa raste, por na mungoi goli. Përgjithësisht jam i kënaqur me ndeshjen”, u shpreh përzgjedhësi.

Foda foli edhe për mungesën e Florent Muslijës, duke theksuar se mesfushori është një futbollist që i mungon Kosovës për shkak të aftësisë së tij për të krijuar raste dhe për të dhënë pasimin e fundit.

“Lojtarë si Muslija na mungojnë, sepse është një lojtar që di ta japë pasimin e fundit, është i rrezikshëm para golit. Sido që të jetë, edhe me këta lojtarë kemi fituar dhe situata është kështu siç është”, përfundoi ai.

Kujtojmë se Kosova dhe Izraeli e mbyllën përballjen me rezultat 0:0, ndërsa “Dardanët” nuk arritën t’i konkretizonin rastet e krijuara për ta marrë fitoren.