Kriza e prek gjigantin gjerman, Mercedes-Benz pezullon të gjitha investimet e ardhshme

Mercedes-Benz ka pezulluar të gjitha investimet e ardhshme në Gjermani, duke paralajmëruar se mund të detyrohet të mbyllë fabrika dhe të zhvendosë vende pune në shtete të tjera.

Prodhuesi gjerman i veturave është përballur vitet e fundit me rënie të shitjeve dhe fitimeve, duke nisur një valë masash për uljen e kostove, e cila tashmë ka kulmuar me vendimin për të ndalur tërësisht investimet e reja në fabrikat e tij në Gjermani, shkruan yahoo.com.

Michael Schiebe, drejtori i prodhimit në kompani, u ka thënë punonjësve se “bordi drejtues ka vendosur bashkërisht të ndalë të gjitha investimet e mëtejshme në lokacionet në Gjermani”.

Ndërkaq, Britta Seeger, përgjegjëse për fuqinë punëtore në kompani, tha se drejtuesit tashmë do të shqyrtojnë në mënyrë konkrete dhe të detajuar se cilat lokacione në Gjermani mund të përballohen financiarisht.

Ky vendim vjen në kohën kur kompania është përfshirë në një përplasje me sindikatat lidhur me planet për uljen e kostove.

Gjiganti automobilistik, me seli në Shtutgart, prej muajsh po shtyn përpara një plan sipas të cilit punonjësit do të punonin më shumë orë, pa marrë pagë shtesë.

Sindikalistët e IG Metall e kanë kundërshtuar këtë propozim, ndërsa Seeger tha se aktualisht nuk ka asnjë zgjidhje në horizont.

“Nëse nuk arrijmë një marrëveshje, do të ndërmarrim masa shumë të ashpra”, paralajmëroi ajo.

Mercedes-Benz, njësoj si gjigantët e tjerë gjermanë Volkswagen (VW) dhe BMW, po përballet me rënie të shitjeve në Kinë, e cila dikur ishte një nga burimet kryesore të rritjes së kompanisë.

Shitjet e veturave Mercedes në Kinë ranë për 8 për qind në tremujorin e tretë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Konsumatorët kinezë ose po kufizojnë shpenzimet, ose po zgjedhin vetura më të lira të prodhuara nga kompanitë vendore.

Ndërkohë, prodhuesit gjermanë të veturave po hasin vështirësi për të konkurruar me hyrjen e modeleve më të lira kineze në tregun evropian, ndërsa në Shtetet e Bashkuara janë përballur edhe me tarifa doganore.

Muajin e kaluar, Mercedes uli parashikimin për marzhën e fitimit për vitin 2026 me dy pikë përqindjeje, duke e zbritur atë në 2 deri në 3 për qind. Kompania tha se fitimet pritet të mbeten në nivel të njëjtë.

Gjiganti automobilistik synon të kursejë 800 milionë euro, përfshirë përmes rritjes së javës së punës nga 35 orë në të paktën 38 orë, si dhe mundësisë së reduktimit të bonuseve për pushime, raportojnë mediat gjermane.

“Nëse nuk e rrisim produktivitetin në vend dhe nuk i ulim kostot, vështirë se do të mund të investojmë më këtu”, tha Seeger.

Mercedes-Benz ka rreth 108 mijë punonjës në Gjermani, që përbëjnë afërsisht dy të tretat e fuqisë së tij punëtore në nivel global.

Kompania ka 11 fabrika në Gjermani, ndërsa operon edhe në Kinë, SHBA, Poloni, Rumani, Hungari, Spanjë dhe Afrikën e Jugut.

Disa nga fabrikat e saj gjermane janë më shumë se 100-vjeçare, por punëtorët kanë frikë se ato mund të mbyllen dhe prodhimi të zhvendoset drejt Evropës Lindore.

Fabrika e Mercedes-Benz në Kecskemét të Hungarisë është bërë këtë vit fabrika më e madhe e kompanisë