SHBA-ja rikthen fluturimet pas ndërprerjes disaorëshe, mbi 15 mijë fluturime u vonuan ose u anuluan

Fluturimet e brendshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rifilluar pas një ndërprerjeje disaorëshe, të urdhëruar nga autoritetet federale për shkak të shqetësimeve të sigurisë që lidhen me një ndërprerje të shërbimeve të telekomunikacionit.

Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, fajësoi teknologjinë e vjetruar të kontrollit të trafikut ajror dhe mbingarkesën e pajisjeve të rrjetit, duke paralajmëruar se probleme të ngjashme mund të përsëriten nëse sistemi nuk modernizohet

Ndërkohë, sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, tha se ndërprerja lidhej me përditësimet e sistemeve të vjetruara të Administratës Federale të Aviacionit (FAA), shkruan CNN, transmeton Zeri.info.

Ai theksoi se vendimi për ndalimin e përkohshëm të fluturimeve nuk ishte marrë për shkak të ndonjë kërcënimi ndaj sigurisë së SHBA-së dhe as nuk kishte lidhje me ndërprerjen e shërbimeve të Microsoft-it gjatë kësaj jave.

Duffy i bëri thirrje Kongresit amerikan që të sigurojë fonde për modernizimin e sistemit të kontrollit të trafikut ajror, duke paralajmëruar se pa investime të nevojshme mund të ketë ndërprerje të tjera.

Ai tha se kthimi në funksionimin e plotë normal do të kërkojë kohë, por shtoi se situata nuk pritet të ndikojë në udhëtimet gjatë festës së Falënderimeve, pas disa javësh.

Ndërkohë, mijëra udhëtarë janë përballur me kaos në aeroporte, me radhë të gjata dhe pritje gjatë natës.

Më shumë se 15 mijë fluturime në SHBA janë vonuar ose anuluar të premten, ndërsa rreth 3 mijë të tjera pritet të përballen me vonesa ose anulime të shtunën. /Zëri