"Ronaldinho është ende i një kategorie tjetër, klasa e tij nuk humbet"

Ronaldinho po përgatitet për rikthimin në futbollin profesionist pas më shumë se 11 vjetësh.

Legjenda braziliane pritet të luajë me fanellën e Ravenna-s në derbin kundër Forlìt, të dielën, më 15 nëntor.

Ish-mbrojtësi italian Cristian Zaccardo, i cili e ka parë nga afër Ronaldinhon në një ndeshje miqësore në Cyrih më 6 nëntor, thotë se braziliani vazhdon të ketë cilësi të jashtëzakonshme.

“Ronaldinho është gjithmonë Ronaldinho. Ndoshta nuk i ka më 20 vjet, por sapo e merr topin, shihet menjëherë se është i një kategorie tjetër. E ka ende atë veprim special, buzëqeshjen dhe lehtësinë që e karakterizojnë”, deklaroi Zaccardo për “Tuttomercatoweb”.

Megjithatë, ish-futbollisti pranon se mbetet pikëpyetje gjendja fizike e 46-vjeçarit.

“Jam shumë kurioz të shoh sa do të mund të përballojë fizikisht. 15 minuta, një pjesë apo 60 minuta? Klasa është gjithmonë e njëjtë”, shtoi ai. /Zëri