Debati për energjinë në Kuvend, Rizvanolli mbron tarifat, opozita kritikon Qeverinë
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka mbrojtur çmimet e energjisë elektrike gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës, duke deklaruar se tarifat vazhdojnë të jenë më të lirat në rajon. Ndërkohë, deputetët e opozitës kanë kritikuar Qeverinë për menaxhimin e sektorit energjetik, importin e energjisë dhe mungesën e investimeve.
Rizvanolli kundërshtoi pretendimet e opozitës se çmimet e energjisë janë të papërballueshme, duke kërkuar që krahasimet të bazohen në të dhëna objektive.
“Tarifat të cilat i cilësoni të papërballueshme vazhdojnë të mbeten më të lirat në rajon, dukshëm më të lira. Prandaj, kur bëni cilësime të tilla, është mirë të flasim edhe në terma objektivë”, tha Rizvanolli.
Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, iu kundërpërgjigj duke thënë se krahas çmimeve të energjisë duhet të merren parasysh edhe të ardhurat e qytetarëve.
Mustafa kritikoi gjithashtu Qeverinë për planifikimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve energjetike, si dhe kërkoi sqarime për zbatimin e rekomandimeve të një raporti të hartuar në vitin 2021.
“Një pjesë e konsiderueshme e problemeve me të cilat po përballet sektori i energjisë në Kosovë lidhet me planifikimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve tona ekzistuese”, deklaroi Mustafa.
Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, akuzoi Qeverinë se kishte krijuar një skemë për ta bërë Kosovën të varur nga importi i energjisë elektrike. Ajo përmendi emërimet në institucionet energjetike dhe lidhjet e pretenduara ndërmjet disa kompanive dhe zyrtarëve.
“Pra, ishte e planifikuar, ishte një skemë që Kosova të varej nga importi, në mënyrë që sot të blejë rrymë me 46 mijë euro në orë”, tha Ymeri.
Kritika pati edhe deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, i cili deklaroi se nga viti 2021 deri në tetor të vitit 2026, Kosova ka shpenzuar mbi 1 miliard e 55 milionë euro për blerjen e energjisë elektrike.
Ai ngriti pyetjen pse nuk është ndërtuar një termocentral i ri, duke kritikuar vendimet e Qeverisë në këtë sektor.
Në anën tjetër, ministrja Rizvanolli iu përgjigj edhe kritikave për projektin e elektrofiltrave në Termocentralin “Kosova B”, duke sqaruar se ai financohet nga Bashkimi Evropian dhe se procedurat kishin nisur para ardhjes së saj në detyrë.
“Ky projekt financohet nga BE-ja, u nënshkrua në vitin 2018, ndërsa kontraktimi u bë më 2019. BE-ja gjithashtu ka kontraktuar kompaninë mbikëqyrëse, e cila është zyrtarisht e thirrur për ta mbikëqyrur cilësinë e punimeve dhe për të bërë vlerësime në rastin e atribuimit të vonesave në projekt”, deklaroi Rizvanolli.
Në anën tjetër, deputeti i LVV-së, Taulant Kelmendi, ka fajësuar pushtetet e kaluara për problemet në sektorin energjetik, duke theksuar se privatizimi i shpërndarjes dhe furnizimit me energji, i vendosur në vitin 2008 dhe i zbatuar në vitin 2013, ka ndikuar në gjendjen e sotme. Ai ka kërkuar përgjegjësi nga partitë që e mbështetën privatizimin.