Fundjavë me shi dhe temperatura të ulëta, në viset malore priten reshje bore

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka parashikuar mot kryesisht të vranët dhe me reshje shiu gjatë fundjavës, më 14 dhe 15 nëntor.

Sipas parashikimit të IHMK-së, të shtunën vendi do të karakterizohet nga vranësira dhe riga shiu, ndërsa në viset malore priten edhe reshje bore.

Temperaturat minimale të shtunën do të lëvizin nga 1 deri në 4 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 4 deri në 7 gradë.

Ndërkaq, të dielën parashikohet mot me vranësira të shpërndara dhe intervale me diell. Temperaturat do të shënojnë rritje, me minimale nga 0 deri në 2 gradë Celsius dhe maksimale nga 9 deri në 13 gradë.

IHMK ka vlerësuar se kushtet biometeorologjike gjatë fundjavës do të jenë kryesisht të pafavorshme, për shkak të vranësirave, reshjeve dhe temperaturave të ulëta.

Sipas institutit, këto kushte mund të ndikojnë në mirëqenien e personave të ndjeshëm ndaj ndryshimeve atmosferike, veçanërisht atyre me sëmundje kronike, reumatike dhe probleme kardiovaskulare. Një përmirësim i lehtë i kushteve biometeorologjike pritet të dielën, me rritjen e temperaturave.

Sa u përket kushteve agrometeorologjike, reshjet e shiut pritet të ndikojnë pozitivisht në lagështinë e tokës dhe furnizimin me ujë të kulturave bujqësore. Megjithatë, temperaturat e ulëta, sidomos në viset malore, kërkojnë kujdes ndaj kulturave të ndjeshme.

Instituti rekomandon shmangien e punimeve në tokat e lagështa dhe kontrollimin e gjendjes së kulturave bujqësore.