Eurovisioni zgjerohet në Azi, Bangkoku pret nesër edicionin e parë të “Eurovision Asia”

Eurovisioni po zgjerohet përtej Evropës. Më 14 nëntor, në Bangkok të Tajlandës, do të mbahet finalja e parë e “Eurovision Song Contest Asia”, ku do të garojnë përfaqësues nga 11 shtete aziatike.

Kjo është gara e parë ndërkontinentale e formatit Eurovision që nga themelimi i festivalit origjinal më 1956. Finalja do të mbahet në “One Bangkok Forum”, ndërsa në skenë do të paraqiten 11 artistë me këngë në dhjetë gjuhë aziatike dhe në anglisht, transmeton Zeri.info.

Në garë do të marrin pjesë Tajlanda, Bangladeshi, Butani, Kamboxhia, Laosi, Malajzia, Mongolia, Nepali, Filipinet, Koreja e Jugut dhe Vietnami. India nuk do të ketë përfaqësues në edicionin inaugurues.

Në mesin e artistëve pjesëmarrës janë Toc Tien nga Vietnami, Nyendra nga Butani, JUNHEE nga Koreja e Jugut dhe Aina Abdul nga Malajzia. Tajlanda, si vend nikoqir, do të përfaqësohet nga dy artistë, MANG dhe DAOU.

Sistemi i votimit do të ndjekë modelin e Eurovisionit evropian: 50 për qind e rezultatit do të përcaktohet nga juritë kombëtare, ndërsa 50 për qind nga votat e publikut. Shikuesit në vendet pjesëmarrëse nuk do të mund të votojnë për përfaqësuesin e shtetit të tyre. Edhe publiku nga vendet që nuk marrin pjesë do të ketë mundësi të votojë përmes votimit “Rest of the World”.

Finalja do të nisë në orën 14:30 sipas kohës së Evropës Qendrore dhe do të transmetohet falas në kanalin zyrtar të Eurovisionit në YouTube. Në mesin e mysafirëve specialë do të jenë fituesja e Eurovisionit 2026, DARA, dhe këngëtari e aktori tajlandez Jeff Satur.

Zgjerimi në Azi shënon një kapitull të ri për konkursin, i cili këtë vit shënon 70-vjetorin e themelimit. Sipas organizatorëve, synimi është krijimi i një skene të përbashkët muzikore për artistët e rajonit dhe prezantimi i kulturave e gjuhëve të ndryshme para një publiku ndërkombëtar. /Zëri