Milan Radoiçiq është larguar nga Serbia në Rusi, thotë ish-zyrtari i BIA-s
Ish-inspektori i pavarur i Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) në Serbi, Milan Zvezdanoviq, ka deklaruar se kryeterroristi i sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq, është larguar nga territori i Serbisë dhe ka shkuar në Rusi.
Sipas raportimit të televizionit N1, Zvezdanoviqi ka thënë se këtë informacion e ka marrë nga burime jozyrtare brenda BIA-s.
Ai ka pretenduar se largimi i Radoiçiqit ka shqetësuar edhe një pjesë të udhëheqjes së BIA-s, e cila, sipas tij, kishte skema biznesore dhe kriminale me të.
I pyetur nëse Radoiçiqi është larguar me leje apo në mënyrë të paligjshme, ish-inspektori është përgjigjur se, sipas tij, “atij nuk i është dashur leje”.
Radoiçiqit më herët i ishte marrë pasaporta me vendim gjykate dhe i ishte ndaluar largimi nga Serbia. Ai kishte pasur gjithashtu obligim që të paraqitej rregullisht në polici.
Radoiçiqi është personi që mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. /Zëri