Prishtina paralajmëron për erëra të forta, qytetarëve u bëhet thirrje për kujdes

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes, për shkak të erërave të forta dhe mundësisë së intensifikimit të tyre.

Në njoftimin e publikuar, kjo drejtori ka kërkuar nga qytetarët që të sigurojnë objektet e lëvizshme në ballkone, terasa dhe oborre, si dhe të shmangin qëndrimin pranë pemëve të dëmtuara, shtyllave elektrike dhe konstruksioneve të pasigurta, transmeton Zeri.info.

Po ashtu, qytetarëve u është rekomanduar të kenë kujdes gjatë lëvizjes në hapësira të hapura dhe gjatë drejtimit të automjeteve.

Drejtoria u ka bërë thirrje edhe pronarëve dhe përgjegjësve të objekteve ndërtimore që të sigurojnë materialet dhe pajisjet që mund të zhvendosen nga era.

“Raportoni menjëherë çdo rrezik që mund të cenojë sigurinë publike”, thuhet në njoftim.

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka bërë të ditur se, në koordinim me Brigadën Profesionale të Zjarrfikësve dhe Policinë e Kryeqytetit, do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe koordinimin e reagimit sipas nevojës.

Për raportimin e rasteve emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë Qendrën Operative Emergjente të Kryeqytetit në numrat:

0800 122 33

0800 122 44