Ramadani kritikon Qeverinë, kërkon përgjegjësi për krizën energjetike
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar Qeverinë për menaxhimin e sektorit të energjisë, duke thënë se përgjegjësia kryesore për situatën aktuale është mungesa e kapaciteteve të reja prodhuese dhe e investimeve në këtë sektor.
Në Debat Plus, Ramadani ka thënë se është e domosdoshme që Qeveria të përballet me përgjegjësinë për zhvillimet e viteve të fundit, jo vetëm në aspektin politik dhe institucional, por edhe për mungesën e prodhimit të ri të energjisë elektrike.
Ai ka përmendur edhe shpenzimet për blerjen e energjisë, duke thënë se gjatë pesë vjetëve e gjysmë të fundit shuma e tyre ka kaluar një miliard euro.
“Është emergjente për ta përballë Qeverinë me këto që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve, jo vetëm në aspektin politik e institucional, jo vetëm me analizu se qindra miliona po blihen sivjet e si ka kaluar miliardëshin që pesë vjet e gjysmë. Por edhe mbi përgjegjësinë kryesore. E përgjegjësia kryesore është se nuk ka prodhim shtesë. Që gjashtë vjet nuk ka pasur investim”, ka deklaruar Ramadani.
Duke komentuar paralajmërimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për një dimër të vështirë sa i përket furnizimit dhe çmimeve të energjisë elektrike, Ramadani ka vënë në pikëpyetje qasjen e saj.
Ministrja Rizvanolli ka deklaruar dje se Kosova dhe pjesa tjetër e Evropës do të përballen me vështirësi në furnizim dhe çmime të larta të energjisë, duke përmendur edhe ndikimin e konfliktit në Iran dhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
“Nuk e di nëse ministrja është ministre a është meteorologe, që po na tregon sa i vështirë do të jetë dimri, sivjet, vjet e viteve të kaluara, secilin vit. Por thelbi i situatës që ne duhet me përballë është…”, ka thënë Ramadani.
Ai ka theksuar se, përkundër paralajmërimeve për vështirësitë e dimrit, problemi kryesor mbetet mungesa e investimeve për rritjen e prodhimit vendor dhe zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme.
“Po e them me shqetësim se është situatë shqetësuese. As nuk kemi më shumë prodhim në KEK, as nuk ka prodhim e investim në burime të ripërtëritshme”, ka deklaruar Ramadani. /dukagjini