Bordi i RTK-së me lëvdata për Akordet e Kosovës - heshtet për censurimin, pengimin e gazetarit dhe largimin e këngëtarëve nga gara

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), në mbledhjen e mbajtur këtë të enjte, ka diskutuar për organizimin e edicionit të katërt të Festivalit të Këngës në RTK, i cili këtë vit u mbajt me emrin e ri Akordet e Kosovës, si dhe për festivalin e fëmijëve.

Gjatë diskutimit, anëtarët e Bordit kryesisht përgëzuan drejtoreshën e Festivalit, Arta Avdiu, e cila njëkohësisht ushtron edhe detyrën e drejtoreshës së Televizionit publik, për organizimin e festivalit të mbajtur më 30 dhe 31 tetor, ndërsa nata për fëmijë u organizua më 1 nëntor.

Megjithatë, në mbledhje nuk u trajtuan disa prej polemikave që e shoqëruan këtë edicion, duke përfshirë pretendimet për censurimin e paraqitjes së këngëtares Olimpia Smajlaj, pengimin e gazetarit të “Zërit” për të përcjellë festivalin nga hapësirat prapa skenës, si dhe largimin ose tërheqjen e disa këngëtarëve nga gara, shkruan Zeri.info.

Mbledhja nisi me përgëzime për Avdiun, madje edhe para se ajo të fillonte raportimin e saj. Nënkryetarja e Bordit, Xheraldina Cërnobregu, e cilësoi festivalin të suksesshëm, duke theksuar se kishte hapësirë edhe për përmirësime.

“Së pari ju përgëzoj për festivalin e suksesshëm. Unë nuk kam qenë më përpara, por kësaj radhe e kam parë me sy të tjerë, kështu që ju përgëzoj. Ka pasur shumë gjëra të mira, por ka hapësirë edhe për përmirësim”, deklaroi Cërnobregu, shkruan Zeri.info.

Në raportimin e saj, Avdiu tha se përgatitjet për festivalin kishin nisur me takime me ambasada gjatë muajit gusht, ndërsa shtatori ishte përqendruar kryesisht në koordinimin me ekipet e angazhuara për organizimin e tij.

Ajo theksoi se ekipi ishte kryesisht i ri dhe pa përvojë të mëparshme në organizimin e një festivali të tillë, çka, sipas saj, kishte kërkuar takime dhe koordinim të vazhdueshëm.

Një pjesë të raportimit, Avdiu ua kushtoi edhe rregullave për veshjen e artistëve dhe fëmijëve që morën pjesë në festival, duke bërë të ditur se për këtë ishte angazhuar edhe një kostumografe.

Sipas saj, veshjet e garuesve duhej të kalonin përmes ekipit të festivalit dhe të konsultoheshin me organizatorët përpara se të përdoreshin në skenë.

“Kemi krijuar edhe ekipin me kostumografen, për të folur me prindërit që të kenë kujdes me veshjen e fëmijëve në skenë. Po ashtu, veshja është dashur të konsiderohet një lloj kodi që duhet të shkohet përmes ekipit të festivalit. Kjo ka vlejtur edhe për garuesit në natën për të rritur. Gjithmonë kostumografja është konsultuar me neve kur ka pasur kërkesa se a mund ta veshim këtë ose atë nga garuesit. Në njëfarë forme, e kemi miratuar veshjen edhe me drejtorin e festivalit”, tha Avdiu.

Ajo përmendi edhe disa prej mesazheve që, sipas saj, festivali kishte synuar t’i përcillte, përfshirë fuqizimin e gruas dhe mesazhet universale për paqen në botë. Megjithatë, Avdiu nuk u ndal te pretendimet e këngëtares Olimpia Smajlaj, e cila këtë vit garoi me këngën “Amanet” dhe akuzoi organizatorët për censurimin e paraqitjes së saj.

Smajlaj kishte deklaruar se ishte kritikuar nga organizatorët për mesazhin e përcjellë në fund të performancës së natës së parë, kur bëri thirrje për drejtësi për vrasjen e Arlinda Zekajt dhe kundër femicidit.

Kjo çështje nuk u ngrit as nga drejtoresha e festivalit dhe as nga anëtarët e Bordit, shkruan Zeri.info.

Ndërkaq, anëtari i Bordit, Fatmir Podrimaj, vlerësoi se organizimi i festivalit kishte qenë në nivel të tillë që mund të prezantohej edhe në festivale ndërkombëtare.

“Ky festival që është mbajtur sivjet, unë si Fatmir, me një përvojë modeste, edhe nëse do të duhej ta zhvendosja në Zagreb, Lubjanë, Split apo Sarajevë, nuk do të isha frikësuar, por edhe në Itali nuk ka vërejtje”, u shpreh Podrimaj.

Ai, megjithatë, pati një vërejtje lidhur me formatin e festivalit, duke e cilësuar të panevojshme përsëritjen e të njëjtave këngë në të dyja netët, pasi këtë vit festivali nuk ishte i ndarë në dy gjysmëfinale.

“Në asnjë festival të kësaj kategorie nuk ndodh që nata e parë t’i ketë 15 këngë dhe nata tjetër t’i ketë të njëjtat këngë. Kjo duhet të eliminohet. Një natë mjafton, me shpërblime, me fitues. Mund të zgjasë më shumë, por përmbajtja është më e mirë dhe nuk ka nevojë të përsëritet e të bëhen shpenzime”, deklaroi ai.

Në përgjigje, Avdiu arsyetoi se përsëritja e performancave ishte bërë për shkak se artistët në natën e parë kishin më shumë emocione, ndërsa në natën e dytë ishin më të familjarizuar me skenën.

Edhe anëtari tjetër i Bordit, Flokart Aliu, e përgëzoi Avdiun për organizimin, duke theksuar se ajo e kishte marrë përgjegjësinë në një periudhë të shkurtër kohore dhe në rrethana të vështira, pas dorëheqjes së drejtorit të mëparshëm.

“Jam krenar që RTK-ja ka arritur ta finalizojë. Në krye të kësaj keni qenë ju. Mund të flasim për përmirësime në aspektin e përmbajtjes, por duke ditur që ne kemi ardhur në maj dhe procesi për organizimin e festivalit fillon në janar, duke pasur parasysh edhe dorëheqjen e drejtorit të mëhershëm, unë desha vetëm t’ju përgëzoj”, tha Aliu.

Ndërsa anëtarja e Bordit, Valmire Thaqi, krahas përgëzimeve për organizimin, ngriti çështjen e nevojës për më shumë prova në edicionet e ardhshme, me qëllim të përmirësimit të paraqitjeve.

Anëtari Ilirjan Himaj, nga ana tjetër, kërkoi ndryshimin e rregullores së festivalit, duke vlerësuar se disa prej elementeve të këtij edicioni nuk kishin funksionuar siç duhet.

Ai u ndal veçanërisht tek organizimi i natës së fëmijëve në fund të festivalit, duke e cilësuar këtë si një zgjidhje të gabuar.

Himaj propozoi që nata e parë t’u kushtohet garuesve të rritur, ndërsa nata e dytë të ndahet në dy pjesë: fillimisht festivali i fëmijëve, nga ora 18:00 deri në 20:00, dhe më pas gara për të rritur, duke filluar nga ora 21:00.

“Duhet ta kuptojmë që nuk janë dy festivale, por një festival me dy kategori, për të rritur dhe për fëmijë”, u shpreh ai.

Ai propozoi gjithashtu që konkursi për edicionin e ardhshëm të hapet më herët dhe të bëhen përpjekje për të ftuar kompozitorë e këngëtarë të njohur që të marrin pjesë në garë, shkruan Zeri.info.

Edhe anëtari tjetër i Bordit të RTK-së, Radojica Mrdjinac, e përgëzoi Avdiun për organizimin, duke rikujtuar rrethanat në të cilat ajo kishte marrë drejtimin e festivalit pas dorëheqjes së Rilind Gërvallës.

Mrdjinaci tha se shpreson që Kosova së shpejti të ketë mundësi të marrë pjesë në Eurovision, duke theksuar se festivali për të rritur duhet të ketë një garë të mirëfilltë dhe të synojë përfaqësimin e vendit në këtë festival evropian.

Pavarësisht diskutimeve për përmirësimin e formatit, rregullores dhe organizimit të edicioneve të ardhshme, polemikat që shoqëruan Akordet e Kosovës nuk u bënë pjesë e diskutimit të Bordit.

Redaktori i “Zërit”, Albert Limani, kishte njoftuar paraprakisht drejtoreshën e përgjithshme të RTK-së, Zana Spahiu, dhe drejtoreshën e festivalit, Arta Avdiu, për pengimin e tij gjatë festivalit në ushtrimin e detyrës si gazetar. Megjithatë, kjo çështje nuk u ngrit në mbledhje dhe nuk u dha asnjë shpjegim për atë që kishte ndodhur.

Po ashtu, Limani i kishte kërkuar përmes një e-maili nënkryetares së Bordit të RTK-së, Xheraldina Cërnobregu, që çështja të trajtohej në këtë mbledhje ku ishte paraparë diskutimi për festivalin. Kërkesa e tij nuk u përmend gjatë diskutimit.

Një tjetër çështje për të cilën Avdiu nuk dha sqarime ishte mungesa e tre këngëtarëve në garën e këtij edicioni. Ndonëse RTK-ja kishte publikuar një listë me 20 pjesëmarrës, në skenën e Akordeve të Kosovës u ngjitën vetëm 17 artistë.

As për largimin ose tërheqjen e tre këngëtarëve dhe arsyet që çuan në mospjesëmarrjen e tyre nuk pati diskutim gjatë mbledhjes së Bordit. /Zëri