Kamioni përplaset me disa automjete dhe përfshihet nga flakët, raportohet për 14 viktima në Emiratet e Bashkuara Arabe

Në një përplasje dhe zjarr, në të cilat u përfshinë një kamion dhe disa automjete të tjera në emiratin e Fujairah në Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë mbetur 14 persona të vdekur dhe janë lënduar 30 të tjerë, njoftoi policia të enjten.

Ky është një nga aksidentet rrugore më vdekjeprurëse në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Policia e Fujairah bëri të ditur se drejtuesi i kamionit humbi kontrollin e mjetit pak para mesnatës në rrugën “Sheikh Khalifa bin Zayed”, pranë hyrjes për në Fujairah.

Sipas policisë, kamioni goditi një automjet tjetër, më pas u përmbys dhe përplasi disa automjete të tjera që kishin ndaluar për shkak të lëvizjes së ngadaltë të trafikut.

Policia shtoi se në kamion shpërtheu një zjarr, i cili u përhap edhe në disa nga automjetet e dëmtuara.

Pesëmbëdhjetë nga të lënduarit janë larguar nga spitali, ndërsa 15 të tjerë vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor, njoftoi policia e Fujairah.

Mes viktimave kishte shtetas të Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa autoritetet po përdorin testet e ADN-së për të identifikuar disa nga viktimat e tjera. /abcnews

Ekipet e emergjencës, mbrojtja civile, ekipet e ambulancave dhe policia mbërritën në vendngjarje, shuan zjarrin, dërguan të plagosurit në spitale dhe siguruan zonën, bëri të ditur policia.