Kosova dhe Portugalia synojnë forcimin e bashkëpunimit bilateral

Ministrja Mimoza Kusari-Lila, gjatë vizitës zyrtare në Portugali, është takuar në Parlamentin portugez me kryetarin e Grupit të Miqësisë Portugali–Kosovë, Bruno Vitorino, si dhe me deputetët Edite Estrela, José Dotti dhe Miguel Costa Matos.

Sipas njoftimit të ministres, në takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, mbështetjen e Portugalisë për integrimin evropian të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar bashkëpunimit ekonomik, me propozimin për organizimin e Forumit të Biznesit Kosovë–Portugali në Prishtinë vitin e ardhshëm dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje bilaterale për bashkëpunim ekonomik.

Në takim është diskutuar edhe mundësia e vendosjes së një linje të drejtpërdrejtë ajrore ndërmjet Kosovës dhe Portugalisë, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes dhe teknologjinë e informacionit.

Sipas Kusari-Lilës, këto iniciativa synojnë krijimin e mundësive të reja për bizneset e të dy vendeve dhe forcimin e marrëdhënieve politike, institucionale dhe ekonomike.