Sulmi në Washington, autori vetëvritet pasi bëri rezistencë me armë ndaj policisë
Një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë plagosur nga një sulm me armë zjarri në Washington, në një nga lagjet më të frekuentuara, fare pranë Shtëpisë së Bardhë. Pas sulmit, autori i dyshuar qëlloi edhe veten, pasi u barrikadua në katin e shtatë të një pallati pranë vendit të ngjarjes.
Sipas autoriteteve, të shtënat nisën në një qendër fitnesi, ku në atë moment ndodheshin rreth 50 persona. Hetuesit dyshojnë se autori ka qëlluar fillimisht brenda palestrës, përpara se të dilte jashtë dhe të hapte sërish zjarr. Një tjetër person dyshohet se është qëlluar në ashensorin e një parkingu aty pranë.
Pas sulmit, i dyshuari u barrikadua në një apartament në katin e shtatë të ndërtesës. Në vendngjarje mbërritën forcat speciale SWAT, policia metropolitane dhe agjentë federalë të FBI-së dhe ATF-së. Pas ndërhyrjes, autori u gjet I vrarë, me plagë të shkaktuara nga arma e tij.
Shefi i përkohshëm i Policisë Metropolitane, bëri të ditur se një prej pesë personave të qëlluar nuk u mbijetoi plagëve dhe për pasojë humbi jetën. Ai konfirmoi gjithashtu se i dyshuari kishte qëlluar veten ndërsa ishte i barrikaduar në apartament dhe bëri rezistencë për rreth 1 orë, e madje qëlloi me armë 2 herë drejt efektivëve të policisë.
Sipas policisë, si motiv i sulmit po hetohet një konflikt i mundshëm me shoqatën e pronarëve të ndërtesës ku banonte autori.
Ngjarja shkaktoi panik në zonë, ndërsa policia bllokoi një pjesë të rrugës dhe u kërkoi qytetarëve të shmangnin lëvizjen në atë sektor. Disa shkolla pranë vendngjarjes u vendosën në gjendje izolimi, si masë paraprake sigurie.
Një dëshmitar që ndodhej në palestër në momentin e sulmit, James Spellman, tha se rreth 50 persona ishin të pranishëm kur nisën të shtënat, ndërsa klientët u përpoqën të largoheshin për të shpëtuar./abcnews.al