Tërmet i fuqishëm në veri të Japonisë, dhjetëra të plagosur, qindra pasagjerë bllokohen në trena

Një tërmet me magnitudë 5.7 ballë ka goditur Japoninë qendrore, duke shkaktuar të paktën 22 të plagosur, dëme materiale dhe ndërprerje të përkohshme të transportit hekurudhor.

Lëkundjet u regjistruan në orën 01:04 të mëngjesit, sipas orës lokale, me epiqendër në prefekturën Shizuoka, në një thellësi prej rreth 40 kilometrash. Tërmeti u ndje në një zonë të gjerë, përfshirë prefekturat Aichi, Gifu, Yamanashi, si dhe qytetet Hamamatsu, Kioto dhe Nara.

Pamjet e transmetuara nga televizionet japoneze treguan vitrina të thyera, xhama të shpërndarë në rrugë dhe mallra të rrëzuara nga raftet e dyqaneve. Në një librari, qindra libra përfunduan në dysheme pas lëkundjeve të forta. Disa persona u plagosën pasi u rrëzuan në shkallë gjatë përpjekjeve për të dalë nga ndërtesat.

Autoritetet nuk raportuan viktima, ndërsa shërbimet hekurudhore u përballën me vonesa dhe pezullime të përkohshme. Trenat e shpejtësisë së lartë Shinkansen qarkulluan me shpejtësi të reduktuar, si masë parandaluese për të kontrolluar sigurinë e linjave.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë u bëri thirrje banorëve të tregojnë kujdes për mundësinë e lëkundjeve të tjera të forta gjatë ditëve në vijim, veçanërisht në dy deri në tri ditët pas tërmetit. Autoritetet paralajmëruan gjithashtu për rrëshqitje dheu dhe rënie shkëmbinjsh, veçanërisht në rast reshjesh.

Ndërkohë, ekspertët thanë se deri në atë moment nuk ishte konstatuar ndonjë ndryshim i dukshëm në zonën e Nankai Trough, ku prej vitesh ekziston shqetësimi për mundësinë e një tërmeti shumë më të fuqishëm.

Japonia ndodhet në Unazën e Zjarrit të Paqësorit, një prej zonave më aktive sizmike në botë, dhe përballet rregullisht me tërmete të intensiteteve të ndryshme. /abcnews