Olimpia Smajlaj akuzoi Akordet e Kosovës për censurë, reagon ekipi i Festivalit

Ekipi i Festivalit të Këngës në RTK, Akordet e Kosovës, ka reaguar pas akuzave të këngëtares Olimpia Smajlaj, e cila pretendoi se paraqitja e saj ishte censuruar, pasi në publikimin e performancës së saj ishte hequr pjesa ku ajo bëri thirrje për drejtësi për vrasjen e Arlinda Zekajt dhe kundër femicidit.

Smajlaj i bëri këto thirrje në fund të interpretimit të këngës “Amanet”, gjatë natës së parë të festivalit. Ajo pretendoi se kjo pjesë e performancës së saj ishte fshirë nga të gjitha platformat e RTK-së e cila organizon festivalin, ndërsa aludoi se ishte censuruar nga organizatorët, transmeton Zeri.info.

Pas reagimit të këngëtares, ekipi organizues i Akordeve të Kosovës ka mohuar se vendimi kishte të bënte me përmbajtjen e mesazhit të saj, duke thënë se çështja lidhej me respektimin e formatit të përbashkët të konkurrimit.

Sipas organizatorëve, artistes nuk i është mohuar e drejta për të shprehur qëndrimin e saj, por produksioni ka kërkuar respektimin e strukturës së njëjtë të prezantimit për të gjithë garuesit.

“Që nga edicioni i parë, në vitin 2023, Festivali zbaton të njëjtat rregulla për të gjithë pjesëmarrësit garues. Kjo vlen për strukturën e prezantimit të këngëve, gjuhën grafike, trajtimin skenik dhe televiziv, si dhe për mënyrën e përmbylljes së performancave”, thuhet në reagim.

Ekipi i festivalit ka theksuar se këto rregulla nuk janë vendosur apo zbatuar si masë ndaj një artisteje të caktuar dhe se mesazhet kundër dhunës, për paqen, respektin dhe dinjitetin njerëzor kanë qenë pjesë e programit artistik gjatë tri netëve të festivalit.

Në reagim, organizatorët kanë përmendur edhe performancën e këngës “Heal the World”, me të cilën u përmbyll nata e parë, si dhe mesazhet e prezantuesve për respektimin e dinjitetit dhe të drejtës së secilit për të jetuar pa frikë.

Po ashtu, kanë përmendur ndarjen e Çmimit për Arritje Jetësore për kompozitoren Pranvera Badivuku, ku përmes një mesazhi të aktores Rebeka Qena u theksua rëndësia e vlerësimit të kontributit të grave në shoqëri.

“E drejta për të shprehur një mesazh dhe respektimi i rregullave të përbashkëta të një gare janë dy çështje që nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën”, thuhet në reagimin e ekipit organizues.

Në fund, organizatorët kanë deklaruar se Akordet e Kosovës do të vazhdojnë të mbështeten në parimet e barazisë, transparencës dhe respektimit të standardeve artistike e produksionale për të gjithë garuesit. /Zëri