India miraton ndërtimin e muzeut më të madh në botë, me investim prej 340 milionë dollarësh

India ka miratuar projektin për ndërtimin e një muzeu gjigant kushtuar historisë dhe qytetërimit të vendit, i cili pritet të ketë hapësirën më të madhe ekspozuese në botë. Projekti, me vlerë rreth 340 milionë dollarë, do të realizohet në kryeqytetin Nju Delhi.

Muzeu do të mbajë emrin “Yuge Yugeen Bharat”, që përkthehet përafërsisht si “India ndër shekuj”, duke iu referuar emrit të lashtë sanskrit të vendit, Bharat. Ai do të vendoset në ish-ndërtesat administrative të njohura si North Block dhe South Block, të projektuara nga arkitektët britanikë Edwin Lutyens dhe Herbert Baker në vitet 1920.

Sipas njoftimit të qeverisë indiane, muzeu do të shtrihet në një sipërfaqe të ndërtuar prej rreth 178 mijë e 509 metrash katrorë, ndërsa do të paraqesë vazhdimësinë, larminë dhe pasurinë e trashëgimisë qytetëruese të Indisë.

Galeria e parë pritet të hapet për publikun deri në fund të vitit 2027, ndërsa përfundimi i plotë i projektit është planifikuar për vitin financiar 2030–2031.

Deri më tani, janë identifikuar rreth 1.8 milionë objekte nga muzetë kombëtarë dhe rajonalë, koleksionet arkeologjike dhe pronat private, të cilat mund të përzgjidhen për ekspozim. Muzeu është projektuar të mirëpresë deri në 10 milionë vizitorë në vit.

Qeveria indiane e cilëson këtë institucion si një hapësirë kombëtare kulturore që do të ofrojë mundësi për mësim, kërkim shkencor dhe njohje më të thellë të trashëgimisë historike të vendit.

Projekti u prezantua për herë të parë në vitin 2023 dhe vjen në kuadër të nismave të qeverisë së kryeministrit Narendra Modi për promovimin e identitetit dhe trashëgimisë para-koloniale të Indisë. Në vitet e fundit, vendi ka realizuar edhe projekte të tjera të mëdha simbolike, duke përfshirë statujën 182 metra të lartë kushtuar Vallabhbhai Patel dhe ndërtesën e re të Parlamentit, e inauguruar në vitin 2023. /KultPlus