Avokati i Popullit: Mbrojtja e ujërave në Kosovë kërkon veprime urgjente
Avokati i Popullit ka publikuar raportin për gjendjen e ujërave në Kosovë, ku evidentohen probleme serioze me ndotjen e lumenjve, menaxhimin e resurseve ujore dhe zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e mjedisit.
Sipas raportit, ndër lumenjtë më të ndotur në vend janë Graçanka në Vragoli, Sitnica përgjatë gjithë rrjedhës, Nerodimja në Gerlicë dhe Kaçanik, Drenica në Drenas dhe Vragoli, si dhe Limani i Klinës në Klinë.
Si burime kryesore të ndotjes përmenden shkarkimi i ujërave urbane të patrajtuara, aktivitetet industriale, përdorimi bujqësor, hedhja e mbeturinave në shtretërit e lumenjve dhe degradimi i tyre nga eksploatimi i pakontrolluar i rërës dhe zhavorrit.
Raporti evidenton gjithashtu mungesë të kapaciteteve institucionale, veçanërisht në nivelin lokal. Në shumicën e komunave mungojnë zyrtarët dhe inspektorët mjedisorë, ndërsa shumë prej tyre nuk kanë plane lokale për mbrojtjen e mjedisit.
Shqetësuese mbetet edhe mungesa e stafit dhe pajisjeve laboratorike në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, si dhe nevoja për zgjerimin e rrjetit të monitorimit të ujërave, veçanërisht atyre nëntokësore.
Sa i përket cilësisë së ujit të pijshëm, të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës tregojnë se gjatë vitit 2024 janë analizuar 11 mijë e 16 mostra të ujit, prej të cilave 98.7 për qind kanë qenë në përputhje me vlerat parametrike.
Ndërsa, gjatë periudhës janar-gusht 2025, nga tetë mijë e 435 mostra të analizuara, 98.2 për qind kanë rezultuar në përputhje me standardet përkatëse.
Megjithatë, raporti veçon edhe problemin e manganit në liqenin e Badocit, ku gjatë vitit 2024 dhe 2025 janë evidentuar tejkalime të vlerave të përcaktuara.
Avokati i Popullit ka ngritur shqetësime edhe për rrezikun nga përmbytjet, duke kërkuar planifikim afatgjatë, investime në infrastrukturën ujore dhe mirëmbajtje sistematike të rrjedhave ujore.
Në raport theksohet se problemet në sektorin e ujërave janë evidentuar ndër vite, por zbatimi i masave për përmirësimin e gjendjes ka avancuar me ritëm të pamjaftueshëm.
Avokati i Popullit vlerëson se tashmë nevojiten veprime konkrete, urgjente dhe të koordinuara nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar se mbrojtja e ujërave kërkon angazhim të përbashkët të nivelit qendror dhe lokal.