Jeton Sylaj sillet në Gjykatë nga njësia FIT, seanca me dyer të mbyllura [Video]

Jeton Sylaj, ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, është sjellë në gjykatë nga pjesëtarët e njësisë speciale FIT.

Seanca gjyqësore ndaj Sylajt, i dyshuar për kanosje dhe dhunë ndaj Arlindës, tashmë të ndjerë, do të mbahet me dyer të mbyllura për publikun, shkruan KlanKosova.

Në aktvendimin e gjykatës, është bërë e ditur se vendimi që seanca të mos mbahet e hapur, është vendosur me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Te arsyetimi, kjo gjykatë ka bërë të ditur se më 9 nëntor, ka pranuar kërkesë nga Prokuroria, për përjashtim të publikut nga i tërë shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje penale, ”me qëllim të mbrojtjes së jetës personale dhe familjare të të pandehurit, palës së dëmtuar dhe pjesëmarrësve tjerë në procedurë.”

Më 23 tetor 2026, Prokuroria Themelore në Pejë ngriti aktakuzë ndaj Jeton Sylajt, nën dyshimet për dhunë dhe kanosje ndaj ish-bashkëshortes së tij, Arlinda Zekaj.

Sipas aktakuzës, Sylaj dyshohet se e kishte rrahur dhe kërcënuar me vdekje Arlindën, para se ajo të vritej me sëpatë nga kunati i saj, Albert Sylaj, vëllai i Jetonit.

Në aktakuzë, sipas raportimeve, janë përshkruar edhe përjetimet dhe torturat që 49-vjeçarja dyshohet se kishte përjetuar nga ish-bashkëshorti i saj.