Prishtina angazhon 24 kamionë për pastrimin e kryeqytetit, Rama akuzon Qeverinë për bllokimin e 72 milionë eurove
Komuna e Prishtinës ka nisur zbatimin e masave alternative për përmirësimin e gjendjes me mbeturina, duke përfshirë sektorin privat dhe bashkëpunimin me UNDP-në.
Kryetari i kryeqytetit Përparim Rama ka bërë të ditur se në kuadër të këtyre angazhimeve janë vënë në dispozicion 14 kamionë për pastrimin e kryeqytetit, ndërsa në vijim pritet të angazhohen edhe 10 të tjerë.
Krahas masave të ndërmarra, Rama ka ngritur shqetësimin për bllokimin e financimit prej 72 milionë eurosh, të dedikuara për pajisjen e rajonit me kamionë dhe kontejnerë për menaxhimin e mbeturinave.
“Siç po e shihni tashmë, kemi ndërmarrë masa alternative, pra masa të tjera shtesë, që nëpërmjet Sekretariatit Privat dhe mendimeve të UNDP-së, tash po vazhdojmë me pastruar kryeqytetin. Përkundër faktit po them, që për fat të keq e kemi qeverinë e cila vazhdimisht bllokon. Pra e dini që 72 milionë, të cilët kanë qenë të dedikuar për me i ble më shumë se, me i ble 100 kamionë faktikisht, më shumë se 10.000 kontejnerë për me zgjidh problemin jo vetëm në kryeqytet por në gjithë regjionin. Ky proces është bllokuar edhe ka vazhduar bllokimi i tij prej nivelit qendror, pra prej pikërisht Hekuran Muratit. Sikurse edhe shumë projekte të tjera, e dini që mbesin aty, ngecin aty dhe çfarëdo që ka të bëjë me kryeqytetin, qeveria e shfrytëzon mekanizmat e vet për me i bllokuar. Mirëpo, tentimet e tyre për bllokada, për sabotazha, për me ndalur zhvillimin e kryeqytetit, e dini që asnjëherë nuk kanë mundur me kaluar”, ka thënë ai.
“Pra, ne kemi vazhduar me zhvillimin e kryeqytetit, i kemi kaluar sfidat gjithmonë dhe do ta kalojmë edhe këtë sfidë. Tash me sektorin privat kemi numër shtesë të kamionëve, kemi sot edhe 12, tash na bashkohen edhe 2, 14 kamionë, dhe do të ketë edhe 10 të tjerë të cilët janë të pastrimit, pra 24 kamionë, që pastrimi i kryeqytetit faktikisht do të ndikojë dukshëm në pastrimin e kryeqytetit dhe kjo do të shihet prej qytetarëve. Edhe një herë, ju falënderoj të gjithë qytetarëve, që kanë qenë, kanë pasur mirëkuptim edhe e kanë parë faktikisht që përkundër, me çka po ballafaqohemi. Domethënë, ne jemi duke u ballafaquar me një, me një qeveri, sese sabotuese, që ishte dashur me i ndihmuar kryeqytetit, jo me sabotuar kryeqytetin, sepse tek e fundit edhe fëmijët e tyre, e kanë me pas këtë impakt negativ në shëndet si rezultat i mos-pastërtisë apo i pa-pastërtisë. Po ne gjithmonë kemi gjetur alternativa, po gjejmë alternativa dhe kryeqyteti do të pastrohet”, ka shtuar Rama.
“E shihni edhe në ditët me radhë, pra që ka me pasur një zhvillim të dukshëm për të mirën e qytetarëve të kryeqytetit. Falënderoj të gjithë ekipet këtu që sot janë me ne, po ashtu edhe drejtorin Leotrimin, që është duke bërë një punë të shkëlqyeshme në këtë luftë ndaj mbeturinave, ë e po ashtu edhe ekipeve të pastrimit që përkundër problemeve të dukshme me mekanizma, me gjëra të ndryshme po vazhdojnë punën e tyre si qytetarë të kryeqytetit. Po tash ne kemi, kemi ndarë buxhet tjetër shtesë për me involvuar sektorin privat së bashku me UNDP-në ë që ta pastrojmë kryeqytetin. Pra kjo është, ky është procesi edhe ne ë e dini që e kemi votuar edhe krijimin e ë kompanisë pastrimi të kryeqytetit, të cilën po ashtu e ka bllokuar qeveria. Pra e ka vendosur, ka shpallur të jashtëligjshme. Deri sa çdo gjë që këtu në kryeqytet qeveria e shpall të jashtëligjshme, komuna të tjera si Fushë Kosova ose Obiliqi, pra i bëjnë kopjet e njëjta sikur na, po atje qenë kanë të ligjshme. Deri sa tek ne gjithmonë çdo gjë është e jashtëligjshme ë sipas vrejteve të nivelit qendror", tha ai.
Kurse drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leotrim Retkoceri, tha se kjo ndërhyrje është e domosdoshme për shkak të situatës së vështirë me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.
Ai ka theksuar se situata aktuale do të mund të shmangej nëse do të nënshkruhej garancioni i kredisë me KfW-në, përmes së cilës do të siguroheshin 100 kamionë dhe 10 mijë kontejnerë.
“Jemi bashkë këtu me kryetarin, po edhe me kompanitë për me iu përgjigj situatës, se qe jemi në një situatë aspak të lehtë në kryeqytet sa i përket menaxhimit të mbeturinave. Kjo zgjidhje ka qenë e domosdoshme për situatën në të cilën jemi, por në këtë situatë nuk do të ishim sikur të ishte nënshkruar garancioni i kredisë me KfW-në, e cila do të siguronte, siç e tha edhe kryetari, 100 kamionë dhe 10.000 kontejnerë, ku do ta kishim të gjithë rajonin e Prishtinës të pastër. Angazhimi jonë nuk do të ndalet dhe shpejt do të vërehet se angazhimi i përbashkët i Komunës së Prishtinës, operatorëve kompanisë Pastrimi, për t’i dalë ballë situatës, do të jep rezultate dhe bëjmë sërish apel që mos ta bllokohet projekti i KfW-së, sepse ndarja prej 5 milionë euro që kanë ndodhur nga Kuvendi Komunal i Prishtinës për bashkëpunim me UNDP-në, është i nevojshëm, por nuk është zgjidhje afatgjatë që do ta bëj tërësisht zgjidhjen e menaxhimit të mbeturinave, dhe për këtë situatë ne presim që të ketë reagim pozitiv nga Ministria e Financave në mënyrë që mos ta bllokojnë një kryeqytet të tërë dhe me lënë pas zgjidhje në këtë situatë siç jemi. Ne nuk do të ndalemi me përpjekje, me kryetarin dhe të gjithë së bashku, sepse Prishtina nuk do të ndalet”, tha ai. /eo