Konjufca arsyeton mungesën e progresit në Raportin e BE-së me tri palë zgjedhje dhe bllokadën institucionale

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka arsyetuar mungesën e progresit në disa fusha të evidentuara në Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën, duke thënë se periudha e mbulimit të raportit është karakterizuar nga tri palë zgjedhje dhe bllokadë institucionale.

Duke folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, të thirrur me kërkesë të LDK-së, Konjufca tha se gjatë periudhës shtator 2025 – shtator 2026, Kosova është përballur me dy palë zgjedhje të parakohshme dhe zgjedhje komunale, ndërsa Kuvendi ka qenë jofunksional për pjesën më të madhe të kohës.

Sipas tij, edhe Qeveria ka qenë në detyrë gjatë pjesës më të madhe të kësaj periudhe, gjë që ka ndikuar në zbatimin e reformave.

“Komisioni Evropian e ndërlidh drejtpërdrejt ngadalësimin e reformave me bllokadën politike, e cila ka kufizuar efektivitetin e qeverisjes dhe i ka vonuar reformat strukturore”, deklaroi Konjufca.

Ai tha se, sipas raportit, Kuvendi ka punuar vetëm nga mesi i shkurtit deri në fund të prillit, ndërsa gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe një ndërprerje prej tri javësh, nga 6 deri më 25 mars.

Megjithatë, Konjufca vlerësoi se niveli i përgatitjes së Kosovës për integrim evropian nuk ka rënë në asnjë fushë.

“Megjithatë, pasqyra e përgjithshme tregon se niveli i përgatitjes nuk kishte rënë në asnjë fushë. Në luftën kundër krimit të organizuar, niveli i përgatitjes është ngritur”, tha ai.

Konjufca shtoi se krahasuar me raportin e vitit 2025, progresi është vlerësuar më mirë në së paku shtatë kapituj, duke përfshirë reformën e administratës publike, lëvizjen e lirë të kapitalit, shërbimet financiare, statistikat, politikat rajonale, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë.

Ai përmendi gjithashtu përmirësimin e vlerësimit në dimensionin e lirisë së shprehjes.

Sipas Konjufcës, në disa fusha është evidentuar ngadalësim i ritmit të reformave, por jo rënie e nivelit të përgatitjes.

Në fund, ai kritikoi mënyrën se si LDK-ja e ka paraqitur përgjegjësinë e Qeverisë për gjetjet e raportit.

“Kërkesa e LDK-së për këtë seancë e paraqet Qeverinë sikur të kishte pasur kompetenca të plota, duke neglizhuar bllokadën në të cilën ndodheshim”, deklaroi Konjufca.